KreuDrejtësiaGJKKO dikton rregullat e "lojës"/ Çfarë u lejohet gazetarëve dhe avokatëve në...

GJKKO dikton rregullat e “lojës”/ Çfarë u lejohet gazetarëve dhe avokatëve në seancë?

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar një njoftim ku shpjegon rregullat për ndjekjen e seancave gjyqësore nga publiku, avokatët, të pandehurit dhe media.

Njoftimi vjen në një kohë kur rregullorja e re e GJKKO-së, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator, është kundërshtuar nga avokatët dhe organizatat e gazetarëve për kufizimet që vendos në ambientet e gjykatës.

GJKKO thekson se seancat publike janë të hapura për çdo qytetar mbi 16 vjeç, deri në plotësimin e vendeve në sallë. Sipas gjykatës, publiku mund të mbajë shënime me stilolaps dhe bllok, ndërsa kur vendet janë të kufizuara, përparësi u jepet palëve në proces, familjarëve dhe medias.

Për gazetarët, gjykata sqaron se ata mund të ndjekin seancat publike pa kërkuar leje paraprake, ndërsa akreditimi nuk është kusht për të qenë i pranishëm në një seancë publike.

Megjithatë, një nga pikat që ka shkaktuar debat lidhet me pajisjet elektronike. Sipas rregullores, telefonat celularë duhet të dorëzohen te personeli i sigurisë para hyrjes në sallë. Rregulli zbatohet për të gjithë: gjyqtarë, prokurorë, avokatë, palë, media dhe publik.

Për avokatët, GJKKO sqaron se përdorimi i laptopit lejohet për nevoja procedurale, si konsultimi i akteve, provave dhe dosjes elektronike. Gjykata thotë gjithashtu se avokatëve u garantohet komunikimi konfidencial me klientët e paraburgosur.

Por këto argumente nuk kanë bindur Dhomën e Avokatisë. Avokatët kanë kundërshtuar veçanërisht ndalimin e telefonave, duke argumentuar se celulari është një mjet pune dhe se kufizimi vështirëson ushtrimin e mbrojtjes. Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka kërkuar rishikimin e rregullores dhe ka vendosur bojkotin e seancave, me përjashtim të seancave për caktimin e masave të sigurisë.

Edhe puna e gazetarëve është prekur nga rregullat e reja. Kufizimi i përdorimit të telefonave në sallë nënkupton se gazetarët nuk mund të përdorin celularin për të komunikuar apo raportuar në kohë reale gjatë seancës. Rregullorja është kundërshtuar nga organizata që mbrojnë të drejtën e informimit dhe komuniteti i gazetarëve.

Ndërkohë, GJKKO mban qëndrimin se ndalimi i telefonave është masë rendi dhe sigurie, e zbatueshme njësoj për të gjithë dhe jo një kufizim i posaçëm ndaj avokatëve. Gjykata ka deklaruar se, nëse avokatët nuk pajtohen me dispozitat e rregullores, kanë në dispozicion rrugët ligjore për t’i kundërshtuar ato.

Në këtë klimë përplasjeje, GJKKO ka zgjedhur të publikojë mënyrën se si qytetarët, avokatët dhe gazetarët mund të ndjekin një seancë, duke theksuar se “seancat publike janë të hapura për të gjithë”. Debati, megjithatë, mbetet te kufizimet që rregullorja vendos brenda sallës dhe te mënyra se si ato ndikojnë në punën e avokatëve dhe medias.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat