KreuDrejtësia"Krimi nuk ndalet në kufi"/ Hita kërkon aleancë me FBI

“Krimi nuk ndalet në kufi”/ Hita kërkon aleancë me FBI

“Krimi i organizuar ka kapërcyer kufijtë, ndaj edhe partneriteti mes agjencive ligjzbatuese duhet t’i kapërcejë ata.”

Kështu u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Konferencën e 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, që po zhvillohet në Tiranë me pjesëmarrjen e mbi 230 përfaqësuesve nga vende të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara.

Në fjalën e tij, kreu i Policisë u ndal te mënyra se si kanë ndryshuar rrjetet kriminale, të cilat veprojnë në disa shtete, përdorin teknologjinë dhe zhvendosin para e njerëz përtej kufijve.

Sipas tij, përballë kësaj situate, bashkëpunimi mes agjencive ligjzbatuese nuk është më thjesht një nevojë, por një domosdoshmëri për të luftuar krimin e organizuar.

“Rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve, përdorin teknologjinë, lëvizin paratë dhe njerëzit nga një shtet në tjetrin dhe përshtaten me shpejtësi ndaj çdo mekanizmi të kontrollit. Prandaj, përgjigjja jonë duhet të jetë po aq globale”, tha ai.

Drejtori i Policisë përmendi edhe bashkëpunimin e strukturave shqiptare me FBI-në, DEA-n, EUROPOL-in, Interpolin dhe agjenci të tjera ndërkombëtare, duke e cilësuar shkëmbimin e informacionit si një nga elementët kryesorë në luftën kundër rrjeteve kriminale.

Ai tha se informacioni i shkëmbyer në kohë mund të ndihmojë në parandalimin e krimeve, identifikimin e grupeve kriminale dhe goditjen e strukturave që veprojnë në disa vende.

Në këtë drejtim, ai theksoi se Policia e Shtetit ka investuar në teknologji, digjitalizimin e shërbimeve, analizën e të dhënave, hetimin kibernetik dhe strukturat operacionale.

“Ne nuk mund ta përballojmë këtë kërcënim të vetëm. Duhet të ndajmë informacionin, ekspertizën dhe përgjegjësinë, për të ndërtuar një përgjigje të përbashkët”, u shpreh ai.

Konferenca në Tiranë mbledh mbi 230 përfaqësues të agjencive ligjzbatuese nga Evropa dhe SHBA, me fokus te forcimi i partneriteteve ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat