Reforma zgjedhore mbetet një nga çështjet kryesore që Shqipëria duhet të adresojë përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Në raportin e ri të Komitetit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për dialogun post-monitorues me Shqipërinë, theksohet se kuadri ligjor zgjedhor krijon në parim kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, por ende ka mangësi dhe rekomandime të pazbatuara.
Raporti kërkon një reformë gjithëpërfshirëse dhe paralajmëron kundër ndryshimeve të njëanshme të rregullave zgjedhore, veçanërisht nëse ato mund t’i japin avantazh një pale në garën e vitit 2027.
Një nga çështjet kryesore lidhet me financimin e partive dhe fushatave. PACE kërkon që rregullat për financimin e partive të harmonizohen me ato të fushatave, ndërsa të vendosen rregulla më të qarta edhe për financimin nga palë të treta dhe aktivitetet në hapësirën digjitale.
Në raport kërkohet gjithashtu një mbikëqyrje më e pavarur dhe me burime të mjaftueshme, ndërsa vëmendje i kushtohet edhe funksionimit të administratës zgjedhore dhe mekanizmave për shqyrtimin e ankesave.
Një tjetër shqetësim është barazia e garës elektorale. Dokumenti rikthen në vëmendje përdorimin e burimeve administrative, presionin ndaj votuesve dhe çështjet që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor.
PACE kërkon që Shqipëria të vijojë me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, duke e trajtuar reformën si një proces të gjerë dhe jo vetëm si ndryshime teknike në Kodin Zgjedhor.
Sipas Institutit të Studimeve Politike, sfida nuk është vetëm ndryshimi i ligjit, por mënyra se si rregullat zbatohen në praktikë. ISP vë në fokus transparencën e financimit, përdorimin e burimeve publike, kapacitetet mbikëqyrëse të KQZ-së, administrimin zgjedhor, konsultimin publik dhe integritetin e informacionit gjatë fushatës.
Këto çështje pritet të jenë në qendër të monitorimit të reformës zgjedhore në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.



