back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaMashtrim ndërkombëtar/ Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtatë të pandehur

Mashtrim ndërkombëtar/ Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtatë të pandehur

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjyq shtatë persona, të akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.

Të pandehurit, shtetasit B.B., K.D., J.J., A.Ll., E.A., Gj.R. dhe L.Sh., dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë zhvilluar një skemë të mirëorganizuar mashtruese, të kamufluar si aktivitet investimi në bursën Forex, në ambientet e shoqërisë “OZAR” sh.p.k., e cila funksiononte në formën e një call center-i.

Hetimet, të nisura pas informacioneve operative të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, zbuluan se skema ishte e drejtuar kryesisht ndaj shtetasve të huaj, veçanërisht italianë. Viktimat kontaktoheshin përmes aplikacioneve të komunikimit, kryesisht WhatsApp, dhe bindeshin të transferonin shuma të konsiderueshme parash me premtimin e fitimeve të mëdha nga investime të rreme në Forex.

Sipas Prokurorisë, nga këqyrja e telefonave të sekuestruar janë zbuluar biseda dhe dokumente, përfshirë foto të kartave të identitetit të viktimave, kontrata të nënshkruara dhe kërkesa të vazhdueshme për pagesa shtesë. Në një rast, një shtetas italian ka transferuar 8,700 euro pas nënshkrimit të një kontrate që parashikonte investim deri në 100 mijë euro, ndërsa më pas i është kërkuar edhe një pagesë tjetër prej 3,500 eurosh, e justifikuar si penalitet për vonesë.

Prokuroria thekson se të pandehurit kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim përfitimi pasuror, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për natyrën mashtruese të aktivitetit. Secili prej tyre kishte role të ndara në funksionimin e skemës, nga administrimi formal i shoqërisë dhe koordinimi i operatorëve, deri te mbështetja teknike dhe ndjekja e klientëve.

Ndërkohë, nga ky procedim janë veçuar akte dhe vijojnë hetimet në një çështje të re penale për “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim me autoritetet e huaja, për viktima të tjera të kësaj skeme.

Prokuroria nënvizon se të gjithë të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri në dhënien e një vendimi gjyqësor të formës së prerë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat