back to top
7.5 C
Tirana
E premte, 26 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetNga imobiliarja në kinema/ Maringlen Çika dhe debutimi i fuqishëm në "Bad...

Nga imobiliarja në kinema/ Maringlen Çika dhe debutimi i fuqishëm në “Bad Drop”

Nga bota e imobiliareve te kinemaja,  Maringlen Çika ka debutuar në filmin shqiptar Bad Drop. I njohur për prezencën e tij në ekranin e telefonave dhe videot kreative, ai tregon si u fut në rolin e Nikut, krahu i djathtë i dy kapove të bandave, dhe si e përjetoi eksperiencën e parë përball kamerës.

Në një intervistë pwr “E Vërteta.al”, Marigleni rrëfen ftesën që e bëri pjesë të filmit, sfidat gjatë xhirimeve dhe bashkëpunimin me aktorët profesionistë Behar Meren dhe Bujar Asqeriun. Ai shpjegon se roli nuk ka lidhje me jetën e tij reale, por eksperienca i dha mundësinë të përjetojë emocionet dhe kompleksitetin e një filmi aksion. Gjithashtu, aktori ndan këshilla për të rinjtë që duan të provojnë veten në fusha të reja dhe shpreh dëshirën për të eksploruar edhe zhanre të tjera në të ardhmen.

Intervistoi: Etleva Skonja

Si erdhi ftesa për të qenë pjesë e filmit Bad Drop dhe cili ishte reagimi juaj i parë?

Ftesa erdhi nëpërmjet mikut tim, Eni Gurra, i cili pasi më kishte parë edhe në videot në rrjetet sociale me kolegen time, Viola, i kishin pëlqyer videot dhe mënyrat sesi realizonim videot për reklamimin e pronave me ide kreative dhe me doza të vogla aktrimi.

Çfarë ju bindi të pranoni një rol në kinematografi, duke ardhur nga fusha e imobiliareve?

Pranimi i ftesës ishte i menjëhershëm, pasi doja të shfrytëzoja këtë mundësi që më u dha, e cila do më jepte shansin të eksperimentoja në fushën e aktrimit.

A kishit më parë eksperiencë me aktrimin apo ishte hera e parë para kamerës?

Ndër vite jam marrë me art, muzikë, kërcim, DJ dhe gjithmonë kam prekur skena, ekrane dhe televizione si i ftuar. Kështu që marrëdhënia me kamerën nuk ishte problem, dhe futja në rol ishte diçka që e kisha provuar më parë edhe në formate të tjera televizive.

Na tregoni më shumë për personazhin që interpretoni në Bad Drop.

Kush është Maringleni në Bad Drop?

Marigleni në Bad Drop luan rolin e Nikut, i cili është krahu i djathtë i dy kapove të bandave, konkretisht Behar Meres dhe Bujar Asqeriut. Unë jam i besuari i të dyja grupeve, si ndërmjetës dhe si shërbëtor korrekt në çdo punë të kryer më parë, deri sa shfaqet Lisa, e cila më ekzekuton 4 prej miqve të mi që punonim bashkë dhe mua më kursen, duke pasur të tjera misione në mendje dhe më kërcënon që të bëj gjithçka që ajo thotë, që mos të më heqë qafe.

Sa afër apo larg është ky rol nga vetja juaj reale?

0% nuk kemi lidhje fare me rolin, pasi filmi është fiction dhe nuk është se në realitet gjërat ndodhin kaq artistikisht sa në film. Në jetën reale nuk ka si të jetë gjithçka kaq e skenuar.

Cila ishte skena më sfiduese për ju gjatë xhirimeve?

Koha e nxehtë, xhirimet me kostum dhe kollare deri në fyt, teksti dhe emocionet përball aktorëve të mëdhenj, ku duhej të jepnim maksimumin.

A pati momente ku u ndjetë të pasigurt përpara kamerës?

Disa herë, kur ndodhte që harronim tekstin, ishin shumë syra dhe shumë kamera drejtuar drejt meje, që prisnin rezultatin. Por, dashje pa dashje, me pak improvizim kalonim situatën pa u kuptuar dhe pa krijuar ngërç në xhirime.

Përvoja në xhirime

Si ishte bashkëpunimi me kastin dhe regjisorin e filmit?

Për mua kënaqësia më e madhe ishte që kisha rol dhe skenar me të dy aktorët, si Behar Meren ashtu dhe Bujar Aqeriun. Ishte fat dhe nder që punova me ta. Regjia gjithmonë ishte e hapur dhe e qetë me punën tonë, duke e bërë më të lehtë transformimin nga jo-aktor në aktor.

Çfarë atmosfere mbizotëronte gjatë xhirimeve?

Shumë miqësore, shumë argëtuese, gjë që na la shije të mirë dhe mezi presim xhirimet e rradhës.

A keni ndonjë episod interesant apo të veçantë nga prapaskenat që mund ta ndani me publikun?

Prapaskenat me Behar Meren ishin fantastike, plot humor dhe të qeshura. Një grup i tërë xhirimi dhe kastë duke mbajtur brinjët nga të qeshurat.

Kalimi nga imobiliare në film

Sa e vështirë ishte të balanconi jetën profesionale si agjent imobiliar me angazhimin në film?

Ka pasur sfidat e veta. Disa ditë xhirimesh nga puna shkoja direkt në shesh xhirim ose e kundërta, nga xhirimet direkt te klientët. Më ka krijuar pak vështirësi në menaxhimin e kohës, por ja dola me sukses t’i menaxhoja. Tani shohim në serinë e dytë, uroj të shkojë mirë dhe të mos krijoj përplasje mes datave dhe orareve të punës.

A mendoni se profesioni juaj ju ndihmoi në ndërtimin e personazhit?

Nuk besoj se lidhen karakteret nga personazhi i filmit me atë në punën e përditshme si reklamues. Por prezenca në publik, të qenit person publik tashmë prej vitesh në ekranin e vogël të telefonave të miliona shqiptarëve, na ka dhënë edhe shansin për ftesa të tilla, si të qenit protagonist në një film.

Çfarë kanë të përbashkët, sipas jush, bota e biznesit dhe ajo e filmit?

Janë të dyja biznese fitimprurëse .

Filmi tashmë ka hapur dyert për publikun.

Si kanë qenë reagimet e para të publikut pas shfaqjes së filmit?

Unë personalisht kam marrë shumë nota të larta vlerësuese, si nga publiku, ashtu edhe nga miqtë dhe aktorë profesionistë, të cilët më kanë dhënë kritikat e tyre për pjesën aktoriale në film. Ka shumë elementë pozitivë, që nëse punohen edhe më mirë, nxjerrin rezultate finale shumë të këndshme për shikuesin.

A do ta konsideronit seriozisht aktrimin si një rrugë të dytë profesionale?

Sigurisht, e shijova shumë gjithçka: xhirimet, premierën, duartrokitjet dhe punën me aktor profesionist. Dua të jem pjesë e zhanreve të ndryshme të filmave të tjerë dhe nuk dua të mbyll vetëm me këtë serial aksion.

Nëse do t’ju ofrohej një tjetër rol, çfarë lloj personazhi do të dëshironit të luanit?

Zhanri që dua të eksperimentoj do të ishte komedia-dramë. Normalisht, personazhin e vendos regjizori, dhe çfarëdo roli të kem, do bëj maksimumin për t’u përfshirë dhe për t’u bërë njësh me personazhin.

Çfarë ju ka mësuar kjo eksperiencë për veten?

Që mundësitë në jetë duhet t’i shfrytëzosh në maksimum.

Cili është mesazhi që do të donit të përcillnit për publikun që shkon ta shohë Bad Drop?

Përgatituni për një rrëmujë të madhe, plot intriga që shkaktohen në ujrat e qeta të dy bandave. Gjithçka ndodh nga hakmarrja e një femre dhe intrigat e një personazhi të kërcënuar dhe të dashuruar me pengmarresen, si isha unë (Niku).

Një këshillë për të rinjtë që duan të provojnë veten në fusha të reja, jashtë profesionit të tyre?

Fillimisht, ndiqni studimet për aktrim, pasi shumë elementë fitohen nga shkolla. Gjë të cilën unë, si jo-profesionist, e ndjeva në trysni dhe presion. Ju këshilloj të jeni shumë gati kur të dilni përball kamerës, për të fituar të gjithë benefitet dhe për të shkëlqyer. Uroj që sa më shumë të rinj të sjellin filma shqiptarë, sepse kemi nevojë. Janë ushqim për shpirtin dhe argëtim për publikun e gjerë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat