back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 2 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaShqiptarët pa kursime/ Vetëm 14.8% arrijnë të vendosin para mënjanë

Shqiptarët pa kursime/ Vetëm 14.8% arrijnë të vendosin para mënjanë

Vetëm 14.8 për qind e shqiptarëve mbi moshën 15 vjeç arritën të kursejnë nga të ardhurat e tyre në një bankë apo institucion tjetër financiar gjatë vitit 2024, duke e renditur Shqipërinë në nivelin e dytë më të ulët në Europë, pas Moldavisë. Të dhënat vijnë nga baza globale Findex e Bankës Botërore, e bazuar në një anketë të zhvilluar vitin e kaluar në vend.

Sipas krahasimeve rajonale, Shqipëria mbetet ndjeshëm pas vendeve fqinje. Në Maqedoninë e Veriut, 32.4 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç arriti të kursente në vitin 2024, gati dyfishi i nivelit shqiptar. Në Serbi kjo shifër ishte mbi 26 për qind, në Bosnjë dhe Hercegovinë rreth 24 për qind, ndërsa në Kosovë afërsisht 16 për qind.

Diferenca bëhet edhe më e thellë krahasuar me Bashkimin Europian, ku mbi 55 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç arriti të ndajë para mënjanë për kursime. Në hartën krahasuese të Bankës Botërore, Shqipëria pozicionohet pranë vendeve të Afrikës dhe Azisë Jugore, me nivele shumë të ulëta kursimesh.

Të dhënat tregojnë se aftësia për të kursyer lidhet ngushtë me nivelin e të ardhurave. Në 40 për qind të popullsisë me të ardhurat më të ulëta, vetëm 4.3 për qind arritën të krijojnë kursime në bankë. Ndërkohë, në 60 për qind të grupit me të ardhura më të larta, norma e kursimit arrin në 21.7 për qind.

Edhe grupmoshat e reja dhe banorët e zonave rurale shfaqin kapacitete shumë më të ulëta për të kursyer krahasuar me të rriturit dhe zonat urbane.

Ekspertët e lidhin këtë situatë me të ardhurat e ulëta dhe pagat që nuk përputhen me koston e jetesës. Për shumicën e familjeve shqiptare, të ardhurat mujore mezi mbulojnë shpenzimet bazë si ushqimi, qiraja, energjia dhe nevojat e përditshme, duke lënë shumë pak ose aspak hapësirë për kursime.

Ndërkohë, rritja e çmimeve ka tejkaluar rritjen e të ardhurave. Shqipëria regjistroi në vitin 2024 çmime më të larta për ushqimet krahasuar me vendet e Rajonit dhe Bashkimit Europian, ndërsa pagat mbeten ndjeshëm më të ulëta. Inflacioni i viteve të fundit ka ulur fuqinë blerëse dhe ka vështirësuar edhe më tej aftësinë për të kursyer, përfshirë edhe familjet që më parë arrinin të vendosnin para mënjanë.

Pavarësisht përmirësimit të aksesit në shërbime bankare dhe rritjes së ndërgjegjësimit financiar gjatë dekadës së fundit, përdorimi i parasë cash dhe prania e sektorit informal vijojnë të mbeten të larta, duke ndikuar negativisht në kulturën e kursimit në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat