Kryeministri Edi Rama reagoi sot në rrjetet sociale lidhur me një deklaratë të bërë nga gazetari Blendi Fevziu gjatë emisionit “Opinion”, ku Fevziu pretendoi se “të paktën shtatë ministra janë në udhëtime private jashtë vendit gjatë fundjavave, ndërsa lënë kasetat me inspektime në televizion sikur janë në punë”.
Në postimin e tij, Rama e cilësoi këtë si një shpifje të hapur, që sipas tij nuk mund të mohohej as nga vetë Fevziu. Kryeministri theksoi se gjatë asaj periudhe, një sërë ministrash ishin në terren ditë e natë për të përballuar situata emergjente, përfshirë vorbullat atmosferike dhe përmbytjet që goditën vendin, duke demaskuar kështu pretendimet e gazetarit.
“Mesa kuptoj, dëbora e kudondodhur dhe kalendari i ngjeshur i influencerit e penguan Blendi Fevziun të merrej seriozisht me faktin që i gënjeu hapur shikuesit e tij besnikë. Kjo ishte një gënjeshtër e llojit shpifje, të cilën nuk e mohoi dot as vetë Fevziu,” shkruan Rama.
Kryeministri shtoi se si pjesëmarrës në debatet televizive, ka parë shpesh gënjeshtra të ngjashme nga opozita, por e vuri theksin tek përgjegjësia që bart Fevziu si një nga figurat kryesore mediatike. Ai bëri apel që gazetari të kërkojë falje publike ndaj shikuesve të përbashkët, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, duke theksuar se shumica e tyre nuk janë votues të tij, por megjithatë meritojnë të mos keqinformohen.
Rama gjithashtu kritikoi mënyrën se si shpifjet propagandohen në debatet televizive: “Nëse Fevziu nuk mund t’i mbrojë shikuesit nga shpifësit që fton në studio, minimalisht nuk duhet t’i abuzojë edhe vetë. Kërkohet një shembull pozitiv nga liderët mediatikë për respektimin e publikut dhe për t’i dhënë fund shpifjeve plateale që keqpërdorin besimin e shikuesve.”
Kryeministri përfundoi postimin e tij duke nënvizuar se edhe pse kjo nuk është hera e parë që ndodhin shpifje në sallonin e Opinionit, ka një moment kur duhet të ndalet dhe të kërkohet një falje, pavarësisht presionit apo traditës së debatit politik në media. Ai i bëri thirrje Fevziut që si një lider mediatik në mexhelisin e debatit politik, të përdorë ndikimin e tij për të dhënë shembull pozitiv dhe për të mbajtur besueshmërinë e publikuesve ndaj informacionit që transmetohet në ekran.



