back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaGjyqi ndaj Arben Ahmetajt/ Zbardhet debati mes mbrojtjes dhe SPAK për dosjen...

Gjyqi ndaj Arben Ahmetajt/ Zbardhet debati mes mbrojtjes dhe SPAK për dosjen “Buka”

Ka vijuar sot gjyqi në mungesë ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, aktualisht në arrati, lidhur me dosjen e njohur si “Buka”, ku ai akuzohet për shpërdorim detyre. Seanca u fokusua kryesisht tek debatet mes mbrojtjes së Ahmetajt dhe prokurorit të SPAK, ndërsa në sallë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të familjes Myderizi, të cilët konsiderohen të dëmtuar nga vepra penale.

Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, paraqiti një sërë kërkesash për administrimin e provave, duke deklaruar se klienti i tij nuk e pranon akuzën, e konsideron procesin politik dhe kërkon që të pyetet përmes videokonference. Ai gjithashtu kërkoi administrimin e provave dokumentare, akt-ekspertimet teknike dhe kontabël, si dhe dëshmitë e ish-ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe ish-zyrtarëve të tjerë të ministrisë.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, sfidoi kërkesat e mbrojtjes, duke sqaruar se dosja përmban vendime gjykatash të formës së prerë në favor të familjes Myderizi dhe se Ahmetaj ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gokaj gjithashtu theksoi se ish-ministrat Nasip Naço dhe Florian Mima nuk kishin privatizuar pronën në fjalë, ndërsa Ahmetaj kishte caktuar vetë ekspertë, të cilët sipas prokurorisë kishin bërë akt-ekspertime me kundërthënie.

Debati u tensionua edhe nga përfaqësuesi i familjes Myderizi, Adrian Myderizi, i cili akuzoi mbrojtjen për tentativë për të ngatërruar çështjen dhe për të manipuluar provat. Ai u shpreh se Ahmetaj kishte favorizuar manovra për të përfituar nga prona, ndërkohë që gjyqet e mëparshme ishin fituar nga familja:

“Ne fituam gjyqin me Ministrinë e Ekonomisë me vendim të formës së prerë. Kundërshtuam mënyrën si u llogaritën aksionet e pronarëve: 1 metër katror tokë na u llogarit me 8 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që vlera e tregut është rreth 1 mijë euro. Janë bërë manovra për t’i hapur rrugë vjedhjes. Ahmetaj bëri atë që nuk e bëri asnjë ministër tjetër.”

Në përfundim të debatit, gjykata vendosi të shtyjë seancën për datën 27 janar, për t’i dhënë kohë prokurorit të SPAK të shprehet mbi provat dhe dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtja e Ahmetajt.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat