back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 31 Janar, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaSPAK bllokon Xhafajn / “Ngrin” komisioni që kontrollon Prokurorinë

SPAK bllokon Xhafajn / “Ngrin” komisioni që kontrollon Prokurorinë

Në të njëjtën ditë kur Klodian Braho mori zyrtarisht detyrën e kryeprokurorit, Komisioni i Përhershëm Parlamentar për Çështjet Ligjore, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, kërkoi përfshirjen e SPAK në axhendën e tij për një vizitë monitoruese mbi rezultatet në luftën kundër pastrimit të parave.

Kërkesa u mbështet në një shkresë të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, drejtuar Kuvendit dhe disa institucioneve të tjera, për disponimin e të dhënave lidhur me fenomenin e pastrimit të parave.

Megjithatë, Prokuroria e Posaçme i ka thënë “jo” kësaj kërkese, duke refuzuar zhvillimin e takimit të propozuar për datën 6 shkurt 2026. Në përgjigjen zyrtare, SPAK e cilëson një vizitë të tillë monitoruese si një kapërcim të ligjit dhe një cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë së saj kushtetuese.

“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit”, thuhet në shkresën e SPAK.

Megjithatë, Prokuroria e Posaçme lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit institucional, duke theksuar se është e gatshme të informojë Komisionin Parlamentar në përputhje me ligjin, por jo të jetë subjekt monitorimi nga Kuvendi.

“Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional me Komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm, në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese”, thekson SPAK.

Në të njëjtën kohë, Prokuroria rikujton se ka raportuar më herët mbi zbatimin e rekomandimeve të Task-Forcës kundër pastrimit të parave, në kuadër të procesit të vlerësimit të Shqipërisë nga Moneyval, organizata ndërkombëtare e monitorimit kundër pastrimit të parave.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat