Publikimi i email-eve private të Jeffrey Epstein, në kuadër të hetimeve amerikane, ka sjellë në vëmendje një emër që bie ndesh me narrativën e zakonshme të skandalit: ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan. Sipas medias “Times of Islamabad”, dokumentet nuk e implikojnë Khan-in në asnjë aktivitet të paligjshëm, por përkundrazi zbulojnë frikën dhe shqetësimin që figura e tij politike ngjallte në qarqe elitare globale.
Në një email të korrikut 2018, pak pas fitores së Imran Khan-it në zgjedhjet parlamentare, Epstein e përshkruante atë si një “kërcënim shumë më të madh për paqen” sesa liderë si Recep Tayyip Erdoğan, Ajatollah Khamenei, Xi Jinping apo Vladimir Putin. Një vlerësim i pazakontë, që – siç analizon Times of Islamabad – nuk synonte të denigronte Khan-in për lidhje kriminale, por të evidentonte rrezikun që ai përfaqësonte për rendin ekzistues ndërkombëtar.
Sipas kësaj mediaje, Epstein e shihte Khan-in si një lider nacionalist të fortë, të aftë për të mobilizuar masat dhe për të sfiduar strukturat tradicionale të varësisë politike dhe ekonomike. Në email-et e tij, ai e cilësonte themeluesin e PTI-së si “lajm të keq” për ekuilibrat globalë, duke nënvizuar frikën ndaj një politike të jashtme të pavarur dhe të pakontrolluar nga Perëndimi.
Shqyrtimi i mijëra faqeve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së dhe Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve nuk ka zbuluar asnjë provë që e lidh Imran Khan-in me rrjetin kriminal të Epstein-it. Përkundrazi, referenca ndaj tij shfaqet ekskluzivisht në kontekst gjeopolitik. Siç shkruan Times of Islamabad, përmendja e Khan-it tregon më shumë për frikën e elitave sesa për ndonjë implikim real të tij.
Gjatë mandatit 2018–2022, Imran Khan ndërtoi një profil politik të mbështetur në sovranitet kombëtar, luftë kundër korrupsionit dhe reforma sociale. Programi Ehsaas, që përfshiu mbi 80 milionë përfitues, politikat mjedisore si “Tsunami i Një Miliard Pemëve”, si dhe qëndrimi i pavarur në arenën ndërkombëtare, e vendosën Pakistanin në një kurs që shpesh binte ndesh me interesat e fuqive tradicionale.
Në këtë kontekst, Times of Islamabad thekson se qëndrimi neutral i Khan-it në konfliktin Rusi–Ukrainë dhe vizita e tij në Moskë në vitin 2022 u interpretuan nga qarqet perëndimore si shenja sfide. Pikërisht kjo pavarësi politike, sipas analizës, e bëri Khan-in një figurë të padëshiruar për rrjete ndikimi ku lëvizte edhe Epstein.
Një fotografi e viteve ’90, ku Khan shfaqet në një event shoqëror me Ghislaine Maxwell, është përdorur nga disa media për të krijuar insinuata. Por, siç sqaron Times of Islamabad, kjo foto i paraprin çdo lidhjeje të Maxwell me krimet e Epstein-it dhe nuk përbën asnjë provë implikimi. Analizat zyrtare amerikane e kanë përjashtuar qartë Khan-in nga çdo listë fluturimesh apo klientësh të Epstein-it.
Burimi thekson gjithashtu se arrestimi i Imran Khan-it në vitin 2023, për akuza që organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut i kanë cilësuar si të motivuara politikisht, ka forcuar më tej imazhin e tij si lider që sfidon elitat. Përkrahja popullore, e reflektuar në sondazhe dhe mobilizime masive, e ka kthyer figurën e tij në simbol rezistence politike në Pakistan.
Në fund, sipas Times of Islamabad, ajo që Epstein synonte si paralajmërim apo përçmim, sot lexohet si dëshmi e ndikimit të Imran Khan-it. Jo si pjesë e errët e një skandali global, por si një figurë politike që, pikërisht për shkak të pavarësisë dhe nacionalizmit të tij, u perceptua si kërcënim nga rrjetet e padukshme të pushtetit global.



