Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi statusin e Belinda Ballukut do të ketë rëndësi thelbësore për raportin midis pushteteve në Shqipëri.
Në një intervistë për “Puls” në A2 CNN, Spahiu theksoi se grupi i mazhorancës ka vendosur të presë vendimin e Kushtetueses para se të zhvillohet mbledhja e ardhshme e Këshillit të Mandateve.
“Është shumë e drejtë që anëtarët e grupit të mazhorancës kanë kërkuar të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’u zhvilluar mbledhja e ardhshme e Këshillit të Mandateve. Ky vendim nuk është thjesht për Edi Ramën apo Belinda Ballukun, por në thelb do të vendosë një vijë ndarëse midis pushteteve në vendin tonë,” tha Spahiu.
Ajo shtoi se vendimmarrja do të tregojë qasjen e pushtetit gjyqësor dhe rolin që do të ketë ky pushtet në raport me ekzekutivin në të ardhmen.
“Do të jetë qasja që do të mbajë pushteti gjyqësor dhe do të tregojë përplasjen midis dy pushteteve. Nuk po flasim për Edi Ramën, po për qeveritë në përgjithësi, dhe nuk dimë se kush do të jetë pas 10 viteve. Pyetja është: A mund të pezullojë gjyqësori një ministër? A është kjo kushtetuese? Në fund, pasojat janë shumë të mëdha,” shtoi Spahiu.



