Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy javë nga vendimi i Komisionit të Mbrojtjes pranë Këshilli i Lartë i Prokurorisë për rritjen e masave të sigurisë, Garda e Republikës nuk ka shtuar numrin e efektivëve për mbrojtjen e prokurorit Altin Dumani.
Raportohet se numri i truprojave që shoqërojnë dhe ruajnë ish-drejtuesin e këtij institucioni mbetet i njëjtë, edhe pse Komisioni i Mbrojtjes pranë KLP ka pranuar kërkesën e kreut aktual të SPAK, Klodian Braho, për rritjen e nivelit të sigurisë fizike.
Sipas të njëjtave burime, ndryshe nga Garda e Republikës, Policia e Shtetit i është përgjigjur kërkesave të SPAK për eskortim sa herë që kjo ka qenë e nevojshme.
Garda: Informacioni për sigurinë është “sekret shtetëror”
Garda e Republikës refuzoi të japë detaje mbi masat konkrete të sigurisë, duke argumentuar se të dhënat mbi organikën dhe numrin e efektivëve për shoqërimin e personaliteteve të larta janë të klasifikuara si “sekret shtetëror”.
Në përgjigjen zyrtare drejtuar gazetarit të Euronews Albania, Eni Ferhati, institucioni thekson se:
Organika e Gardës, që përmban numrin e punonjësve të sigurisë për grupet e shoqërimit të personaliteteve, është dokument i klasifikuar, bazuar në vendimin e Ministrit të Brendshëm të datës 17 nëntor 2021.
Sipas ligjit nr. 10/2023 “Për informacionin e klasifikuar”, ky informacion nuk është i aksesueshëm për publikun.
Eskortat ndërtohen mbi bazën e analizës së riskut dhe faktorëve të parashikuar në VKM nr. 777, datë 15 dhjetor 2021.
Shoqërimi i Dumanit kryhet në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore, si dhe me organikën e miratuar me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
Pyetjet drejtuar Gardës
Përmes një kërkese për informacion, Euronews Albania i kërkoi Gardës të sqarojë:
Nëse është shtuar numri i efektivëve për sigurinë e Dumanit pas vendimit të Komisionit të Mbrojtjes pranë KLP dhe, nëse po, sa efektivë shtesë janë caktuar.
Cili është numri aktual i efektivëve që sigurojnë mbrojtjen e tij dhe familjarëve, para dhe pas vendimit.
Vendimi për rritjen e masave
Në fund të janarit, Komisioni i Mbrojtjes pranë KLP vendosi rritjen e masave të sigurisë për ish-drejtuesin e SPAK dhe disa prokurorë të tjerë, për shkak të çështjeve komplekse dhe me ndikim të lartë publik që ata kanë trajtuar ndër vite.
Kërkesa për shtimin e sigurisë, e paraqitur nga kreu aktual i SPAK, Klodian Braho, u pranua nga Komisioni pasi ishte e mbështetur në analizën përkatëse të riskut. Megjithatë, sipas burimeve nga SPAK, në terren nuk ka ende një ndryshim konkret në numrin e efektivëve që sigurojnë mbrojtjen e Altin Dumanit.



