back to top
13.5 C
Tirana
E hënë, 16 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetRama akuza prokurorëve/ "Arrestime për të mbushur CV-të e tyre"

Rama akuza prokurorëve/ “Arrestime për të mbushur CV-të e tyre”

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë në Kryesinë e Kuvendi i Shqipërisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk i kurseu kritikat ndaj prokurorëve, duke u ndalur veçanërisht te arrestimet e punonjësve të administratës.

Rama tha se disa prokurorë, sipas tij, ndërmarrin veprime të tilla vetëm për të “mbushur CV-në e tyre” dhe për t’u paraqitur si kandidat të ardhshëm për Prokurorinë Speciale.

“Punonjësit e administratës nuk janë mish për top të askujt. Ata nuk janë shënjestra për të mbushur CV-në e prokurorëve që synojnë Prokurorinë Speciale nesër,” tha Rama.

Kryeministri përmendi edhe raste konkrete, duke treguar se si njerëz që nuk kanë lidhje me hetimet, përfshirë një punonjëse e administratës që ka luftuar me kancerin dhe ka një fëmijë dy muajsh, janë përballur me urdhra arresti pa bazë të qartë.

“Është bërë e pa tolerueshme ajo që ndodh në prokuroritë e rretheve me fletët e arresteve që shpërndahen si të ishin ftesa për dasmë. Çfarë janë këto, ku jemi ne këtu?” u shpreh Rama.

Ai shtoi se një reflektim interesant për këtë çështje ka ardhur nga një profesore franceze e së drejtës penale, e cila punon me grupin e punës që bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë të Italisë dhe Francës. Profesoresha theksoi se:

“Në shkrimin e Kodit Penal demokracitë udhëhiqen nga liria, diktaturat udhëhiqen nga heqja e lirisë dhe problemi kryesor që ju keni është se jeni akoma në mentalitetin që kodi penal bëhet për të hequr lirinë. Kodi penal nuk bëhet për të hequr lirinë, kodi penal bëhet për të garantuar lirinë.”

Rama theksoi se heqja e lirisë duhet të jetë vetëm një ekstrem i domosdoshëm për të ruajtur balancat në shoqëri dhe se nuk mund të përdoret si mjet për të kufizuar të drejtat e qytetarëve në mënyrë të shpeshtë. Ai shtoi se Shqipëria ka vetëm 35 vjet liri dhe një sistem drejtësie demokratik që është konsoliduar vetëm 5-10 vjet, ndaj këto sfida janë të pashmangshme në ndërtimin e një shteti të së drejtës.

“Ne duhet të përballojmë këto tema të mëdha sepse janë pjesë e procesit demokratik dhe e ndërtimit të një drejtësie të pavarur,” përfundoi kryeministri.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat