Qeveria thekson se opinioni do të informohet në kohë për paralajmërimin e kryeministrit Hristijan Micksoki që prej kësaj jave do të nisë procesi i konsultimeve dhe reformave të shumëpërfolura në Këshillin Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve. Ndonëse premtimi programor i qeverisë për shpërndarjen e këtyre dy trupave të pavarura gjyqësore nuk u pranua nga ekspertët dhe bashkësia ndërkombëtare, ekzekutivi si duket nuk e ka hequr tërësisht nga tavolina këtë opsion.
“Me qëllim të miratimit të zgjidhjes së qëndrueshme kemi ftuar në diskutim dhe kërkuan gjithëpërfshirje, për çka deri më sot nuk kemi gjendje të tillë në dukje. Prej këtu, është tërësisht logjike pyetja nëse nga shpërndarja e këtyre institucioneve ka shumë subjekte të shqetësuara? Është me rëndësi që të dihet se vjen koha e ndryshimeve dhe mundësisë për kuadrot profesionalë dhe të shkathtë”, njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, nga Qeveria, ashtu sikur edhe vetë kryeministri, nuk japin shpjegime të detajuara për dinamikën e reformave të paralajmëruara. Gjegjësisht, nuk japin informata se kush do të bëjë pjesë në trupin konsultativ për reforma, kur do të mbahet seancë dhe nëse e njëjta do të jetë publike. Zyra e Mickoskit nuk e tregon as identitetin e ekspertit polak, i cili u paralajmërua si ekspert nga Bashkimi Evropian që do të asistojë për çështjen e reformave.
Nga ana tjetër, opozitarja BDI thekson se deri më sot nuk i ka konsultuar askush nga qeveria për çështjen e reformave në gjyqësor, megjithatë shprehen të gatshëm për të ndihmuar.
“Ne jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë duke pasur parasysh përvojën tonë si parti politike për çështje shumë të rëndësishme jetike pasi që të gjithë këto çështje nuk janë pronë e asnjë njeriu. As kryeministrit, as kryetarit të Parlamentit, as ndonjë ministrit, por kanë të bëjnë dhe i tangojnë gjithë qytetarët e këtij shtetit dhe sigurisht se prej këtu bazohet edhe rekomandimi i Komisionit Evropian që të ketë konsensus dhe gjithëpërfshirës”, deklaroi Blerim Bexheti, deputet i BDI-së.
Në raportin e progresit, Komisionit Evropian shprehu shqetësim për paralajmërimin e Qeverisë për shpërndarjen e këshillave gjyqësor dhe prokurorial.
“Njoftimet e qeverisë së re për planet për “shpërbërjen” e Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorisë janë një shqetësim serioz, pasi veprime të tilla do të cenonin pavarësinë e gjyqësorit. Rritja e deficitit të burimeve njerëzore në gjyqësor ngre shqetësime për ndikimin në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë”, thuhet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.
Në vend të kësaj, Komisioni Evropian rekomandon që të rishikohet kuadri legjislativ me qëllim që të rritet transparenca dhe pavarësia e Këshillit Gjyqësor, në përputhje me rekomandimit e Misionit Vlerësues të BE-së. /Alsat.mk