Agjencia ndërkombëtare Reuters i ka kushtuar një analizë të thelluar situatës politike në Shqipëri, duke u fokusuar te akuzat për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ndikimi që kjo çështje mund të ketë mbi ambicien e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Protestat e javës së kaluar në Tiranë përfshinë hedhje bombash molotov drejt godinës së qeverisë dhe përgjigje të policisë me gaz lotsjellës dhe ujë, me brohoritje: “Rama ik! Kjo qeveri e korruptuar duhet të japë dorëheqjen!”
Balluku akuzohet nga SPAK për ndërhyrje në dhënien e dy tenderave në vitin 2021 me vlerë mbi 200 milionë euro, përfshirë një tunel dhe një segment të unazës së Tiranës, me dyshimin se favorizoi kompani të caktuara. Balluku mohon çdo shkelje dhe ka mbështetjen publike të Kryeministrit Edi Rama, i cili ka qeverisur që nga viti 2013 dhe është kandidat për mandatin e katërt.
Ekspertët e Ballkanit, si Andi Hoxhaj, vënë në dukje se respektimi i sundimit të ligjit është parakusht për anëtarësim në BE dhe se akuzat ndaj Ballukut mund të ndikojnë në planin e Ramës për anëtarësim deri në vitin 2030.
Ndërkohë, Rama ka kundërshtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe ka paralajmëruar ndryshime ligjore për të mbrojtur ministrat që janë nën hetim penal, një veprim që opozita e ka kritikuar si mbrojtje për aleatët e tij.
Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë deklaroi për Reuters se retorika që minon besimin publik tek sistemi gjyqësor është kundërproduktive dhe se lufta efektive kundër korrupsionit është vendimtare për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.



