Disa seanca gjyqësore, përfshirë edhe çështjen e njohur si “Plumbi i Artë”, janë shtyrë për shkak të mungesës së gjyqtares Engjëllushe Tahiri, e cila ndodhet për pushime në Dubai.
Ndërprerja e fluturimeve ka bllokuar qëndrimin e saj në vendin e pushimeve, duke penguar pjesëmarrjen në seancat e planifikuara. Tahiri është pjesë e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion (GJKKO), institucioni që merret me shqyrtimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Rivlerësimi i gjyqtares nga Vetting
Engjëllushe Tahiri ka kaluar procesin e rivlerësimit sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK). Analiza e kryer përfshiu shqyrtimin financiar të deklarimeve periodike të subjektit, duke përfshirë të ardhurat, shpenzimet, kursimet dhe detyrimet e saj.
Nga kjo analizë rezultoi një bilanc negativ prej -247.228 lekësh, për të cilin Komisioni i ka kaluar subjektit barrën e provës.

Tahiri ka kundërshtuar këtë bilanc, duke argumentuar se shpenzimet e jetesës për prindërit e saj janë llogaritur më shumë se të ardhurat reale nga pensionet e tyre (177.526 lekë për babain dhe 149.513 lekë për nënën). Ajo ka kërkuar që shpenzimet të llogariten në përputhje me të ardhurat reale për nënën që prej vitit 2002 dhe për babain që prej vitit 2011.
Trupi gjykues ka vendosur se balanca negative nuk përbën shkak për masë disiplinore, duke u bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit.
Ankesat dhe procedimet disiplinore
Gjatë periudhës 3-vjeçare të rivlerësimit (8 tetor 2013 – 8 tetor 2016), Tahiri ka pasur 6 ankesa të paraqitura në Inspektoratin e ish-KLD-së. Pesë prej tyre u arkivuan për arsye të ndryshme: ankesa të përsëritura, sugjerim për t’u drejtuar gjykatave më të larta, ose tejkalim të afatit 5-vjeçar. Një ankesë e verifikuar për mosrespektim formal të ligjit u arkivua pasi nuk rezultuan shkelje procedurale.
Gjatë rivlerësimit, është regjistruar një kërkesë për procedim disiplinor datë 6.12.2013 nga Ministri i Drejtësisë për “Shkarkim nga detyra”, për moszbatim të vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara. Kërkesa u rrëzua dhe u vendos masa e vërejtjes me paralajmërim më 15.4.2014.
Tahiri ka ankimuar vendimin e KLD-së në Gjykatën e Apelit Administrativ, e cila më 7.7.2014 rrëzoi kërkesëpadinë. Gjykata e Lartë më 5.5.2015 ndryshoi vendimin e Apelit dhe pranoi padinë, duke shfuqizuar vendimin e KLD-së.
Hetimet administrative dhe kallëzimet penale
Gjatë hetimit administrativ, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë ka regjistruar kallëzim penal në vitin 2017 nga shtetasi P. LL., i cili pretendonte shpërdorim detyre nga disa gjyqtarë, përfshirë Tahirin. Me vendimin e datës 27.2.2017, Prokuroria vendosi mosfillimin e procedimit penal, duke arsyetuar se vendimet e gjykatave ishin në shqyrtim nga gjykatat më të larta dhe nuk përbënin elemente të veprës penale. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë më 2.5.2017 konfirmoi vendimin e Prokurorisë dhe rrëzoi kërkesën penale të P. LL.
Gjatë rivlerësimit të subjektit, në Komisionin e Vettingut janë paraqitur edhe 14 denoncime nga publiku, të cilat janë shqyrtuar së bashku me materialet përkatëse, por sipas Komisionit nuk kanë qenë arsye për shkarkim të gjyqtares Tahiri. / E Vërteta.al (E.S)
Tahiri në Dubai/ Seanca e “Plumbi i Artë” shtyhet më 10 mars



