back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 11 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaMinistria e Financave ngre Task Forcë për të monitoruar çmimet e karburanteve

Ministria e Financave ngre Task Forcë për të monitoruar çmimet e karburanteve

Ministria e Financave ka vendosur ngritjen e një Task Force të përbashkët mes Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me qëllim monitorimin e sektorit të hidrokarbureve dhe parandalimin e rritjeve abuzive të çmimeve të karburanteve në treg.

Vendimi u mor gjatë një takimi të zhvilluar mes ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe drejtuesve të dy institucioneve, Ilir Binaj dhe Besmir Beja. Në këtë takim u dakordësua edhe plani operacional për ngritjen dhe funksionimin e grupit të përbashkët.

Task Forca do të përqendrohet në monitorimin e tregtisë me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve. Kontrollet do të përfshijnë verifikimin e dokumentacionit tatimor dhe doganor, si dhe krahasimin e tyre me sasitë fizike të karburanteve që tregtohen në treg.

Ministri Malaj theksoi se ngritja e këtij grupi vjen edhe si reagim ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, përfshirë tensionet mes Iran, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael, të cilat kanë ndikuar në çmimet globale të hidrokarbureve.

Sipas tij, çmimet e karburanteve do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga dy institucionet për të shmangur çdo rritje të pajustifikuar në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Ndërkohë, drejtori i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit përmes grupeve të përbashkëta kontrolli me Tatimet, me qëllim që çdo aktivitet tregtar të jetë në përputhje me ligjin dhe çdo transaksion të regjistrohet fiskalisht.

Nga ana tjetër, drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, njoftoi se tashmë ka nisur analiza e riskut për operatorët e këtij sektori. Ai theksoi se përvoja nga operacionet e mëparshme ka ndihmuar në identifikimin e problematikave konkrete në tregun e hidrokarbureve, ndërsa objektivi kryesor mbetet rritja e formalizimit dhe garantimi i funksionimit të rregullt të tregut në një periudhë afatgjatë.

Sipas Ministrisë së Financave, qëllimi i këtij operacioni është forcimi i administrimit tatimor dhe doganor, duke garantuar një treg më transparent dhe në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat