back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetPD “spastron” radhët në Durrës/ Berisha: Këshilltarët u larguan se punuan për...

PD “spastron” radhët në Durrës/ Berisha: Këshilltarët u larguan se punuan për PS

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me përjashtimin nga grupi i këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Durrësit të Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, duke sqaruar se vendimi nuk lidhet me mendimet e tyre, por me veprimet që, sipas tij, kanë qenë në kundërshtim me interesat e Partisë Demokratike.

Reagimi i Berishës vjen pasi dy ish-këshilltarët deklaruan në rrjetet sociale se përjashtimi i tyre kishte ardhur pas një dreke të zhvilluar me Ervin Salianji. Por lideri demokrat e hodhi poshtë këtë pretendim, duke theksuar se çështja është trajtuar më herët brenda strukturave të partisë.

Sipas tij, Burgija dhe Boshku janë denoncuar publikisht dhe në forumet e partisë për qëndrime antistatutore gjatë fushatës elektorale, si dhe për sjelljen e tyre si përfaqësues të PD-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit.

“Ata që pretendojnë se janë ndëshkuar për fjalët apo mendimet, mashtrojnë veten dhe të tjerët. Në këtë parti mendimi është i lirë dhe do të mbetet i tillë. Por këtu bëhet fjalë për qëndrime dhe veprime,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se, sipas tij, përjashtimi lidhet me sjellje konkrete, duke përmendur raste kur, sipas tij, përfaqësues të PD-së kanë punuar në favor të kandidatëve të Partisë Socialiste ose nuk kanë përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve.

“Nëse gjatë fushatës punon për kandidatët e PS dhe jo për ata të PD-së, atëherë e ke nxjerrë veten jashtë partisë. Nëse nuk merr pjesë në mbledhje dhe nuk mbron interesat e qytetarëve, atëherë tradhton besimin e tyre,” deklaroi ai.

Berisha kritikoi gjithashtu përdorimin e mandatit të këshilltarit për përfitime personale, duke theksuar se kjo është në kundërshtim me parimet e përfaqësimit publik.

“Qytetarët të votojnë për të mbrojtur interesat e tyre, jo për të zgjidhur hallet personale,” shtoi ai.

Në vijim, kreu i PD-së nënvizoi se partia nuk do të tolerojë asnjë bashkëpunim me Partinë Socialiste dhe qeverinë, duke e cilësuar këtë si një vijë të kuqe për strukturat dhe përfaqësuesit e saj.

“Çdo bashkëpunim me PS-në do të ndahet përfundimisht. Ato kohëra kanë marrë fund për PD-në,” theksoi Berisha.

Në përfundim, ai bëri të ditur se vendimi është marrë në përputhje me statutin e partisë dhe procedurat e brendshme, ndërsa shtoi se të përjashtuarit kanë të drejtë të ndjekin rrugët institucionale për ankimim.

“Askush nuk ndëshkohet për mendimin apo fjalën. Por për veprimet që bien ndesh me interesat e partisë dhe qytetarëve, ka përgjegjësi,” përfundoi Berisha.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat