Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i akuzuar për mbrojtje të korrupsionit dhe për ndikim në media.
Në një dalje për mediat, Berisha ritheksoi qëndrimin e tij se Rama ka mbështetur hapur korrupsionin, ndërsa ngriti shqetësime për atë që e cilësoi si përdorim të mediave për interesa të ngushta dhe në dëm të publikut.
Sipas tij, një televizion i licencuar po përdoret në mënyrë të njëanshme për të mbrojtur figura të caktuara politike, duke e kthyer hapësirën publike mediatike në një instrument propagande.
“Jam këtu për të denoncuar shfaqjen në tregun mediatik të një televizioni që 24 orë mbi 24 ka si temë të vetme mbrojtjen e një personi të vetëm. Nuk ka akt më të turpshëm sesa të personalizosh një media në këtë mënyrë,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se frekuencat televizive janë pasuri publike dhe nuk mund të përdoren për interesa që, sipas tij, bien ndesh me interesin qytetar.
“Vala është e qytetarëve dhe jo e pronarëve. Nuk mund të përdoret për interesa kriminale kundër publikut shqiptar,” deklaroi ai.
Në vijim, lideri i opozitës pretendoi se në mbështetje të Ballukut janë angazhuar dëshmitarë të shumtë, të cilët ai i cilësoi si të rremë, duke ngritur dyshime për manipulim të opinionit publik.
“Nuk mund të rreshtohen me dhjetëra dëshmitarë për të mbrojtur një person të vetëm. Kjo tregon një skemë të organizuar,” u shpreh Berisha.
Në përfundim, ai theksoi se do të vijojë të denoncojë publikisht çdo rast që, sipas tij, përbën abuzim me pushtetin apo me hapësirën mediatike, duke e konsideruar këtë si detyrim ndaj qytetarëve.



