Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me ndalimin e katër shtetasve shqiptarë nga autoritetet serbe, duke bërë të ditur se po e ndjek çështjen me vëmendje të plotë përmes kanaleve diplomatike.
Në një njoftim zyrtar, ministria thekson se menjëherë pas marrjes së informacionit, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd i është drejtuar institucioneve përkatëse në Serbia, duke kërkuar sqarime të plota mbi rrethanat e ndalimit, si dhe garantimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.
Sipas MEPJ-së, ambasada është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente dhe po ofron të gjithë asistencën konsullore të nevojshme, përfshirë kontaktet me familjarët dhe sigurimin e përfaqësimit ligjor për të ndaluarit.
“Republika e Shqipërisë pret që çdo veprim i autoriteteve serbe të zhvillohet në përputhje të plotë me shtetin e së drejtës, duke respektuar të drejtat themelore dhe garancitë procedurale për çdo qytetar,” thuhet në reagim.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, kur katër shtetas shqiptarë u arrestuan nga policia serbe, të akuzuar për “nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare”. Sipas autoriteteve në Serbi, ndalimi lidhet me publikimin e një videoje në rrjetet sociale, ku njëri prej tyre shfaqet duke udhëtuar me një automjet së bashku me tre personat e tjerë në një autostradë në territorin serb.
Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale A. S. (37 vjeç), E. V. (42 vjeç), E. G. (48 vjeç) dhe A. C. (18 vjeç).
Ministria thekson se situata po monitorohet nga afër dhe çdo zhvillim i mëtejshëm do të trajtohet me seriozitet maksimal, në funksion të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve shqiptarë.



