back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 3 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetBotaNgushtica e Hormuzit/ Tarifa deri në 2 milionë dollarë për kalimin e...

Ngushtica e Hormuzit/ Tarifa deri në 2 milionë dollarë për kalimin e anijeve

Anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit po përballen me kërkesa të reja financiare dhe procedurale, sipas një raportimi të Bloomberg. Sipas burimeve, pagesat për tranzit mund të arrijnë deri në 2 milionë dollarë, duke u kryer në juan kinez ose kriptovaluta.

Ndryshimet vijnë pas miratimit nga parlamenti iranian të një projektligji që vendos kushte të reja për kalimin e sigurt në këtë korridor strategjik detar. Procesi përfshin dorëzimin e një sërë të dhënash të detajuara nga anijet, përfshirë informacion mbi pronësinë, flamurin, ngarkesën, destinacionin, ekuipazhin, si dhe historikun e lundrimit përmes Sistemit Automatik të Identifikimit (AIS).

Sipas raportimit, këto të dhëna shqyrtohen nga struktura të lidhura me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, të cilat verifikojnë nëse anijet kanë lidhje me vende të konsideruara armiqësore nga Irani. Pas këtij procesi, përcaktohet edhe tarifa e kalimit, e cila sipas burimeve nis nga rreth 1 dollar për fuçi naftë bruto.

Për anijet cisternë shumë të mëdha (VLCC), që mund të transportojnë deri në 2 milionë fuçi, kostoja totale e tranzitit mund të arrijë deri në 2 milionë dollarë për një kalim të vetëm.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë, pasi rreth 20% e prodhimit botëror të naftës kalon përmes saj. Çdo zhvillim në këtë zonë ndikon drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare dhe zinxhirët e furnizimit.

Ndërkohë, sipas Bloomberg, qindra anije kanë nisur negociatat për kalimin, ndërsa të tjera po qëndrojnë në pritje të zhvillimeve të mëtejshme, duke shtuar pasigurinë në tregun global të energjisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat