back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 10 Prill, 2026
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëPlani i 15-të Pesëvjeçar ofron një të ardhme të qëndrueshme për bashkëpunimin...

Plani i 15-të Pesëvjeçar ofron një të ardhme të qëndrueshme për bashkëpunimin Kinë-BE

Autor: Dr. Jin Ling,

Zëvendësdrejtore e Institutit të Studimeve Evropiane dhe drejtore e Institutit të Qeverisjes Globale dhe Organizatave Ndërkombëtare pranë Akademisë Kineze të Studimeve Ndërkombëtare

Bota sot ndodhet në një moment kyç. Konferenca e Sigurisë e Mynihut 2026, me temë “Nën shkatërrim”, jo vetëm që pasqyron ankthin strategjik të Evropës, por gjithashtu thekson çekuilibrin në rendin dhe rregullat ndërkombëtare. Në vitet e fundit, konfliktet gjeopolitike kanë qenë të vazhdueshme dhe unilateralizmi është përhapur. Në këtë sfond, Plani i 15-të Pesëvjeçar i Kinës nuk është vetëm një plan zhvillimi i brendshëm që ka të bëjë me 1.4 miliardë njerëz në Kinë, por do të ndikojë thellësisht edhe në zhvillimin e ardhshëm të botës, duke siguruar qëndrueshmëri të fortë dhe një shtysë të brendshme për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE. Plani i 15-të Pesëvjeçar propozon zhvillim me cilësi të lartë dhe hapje në nivel të lartë, duke theksuar rritjen e kërkesës së brendshme për të zgjeruar epërsitë e një tregu super të madh. Këto drejtime reformash dhe zhvillimi do të sjellin mundësi të reja bashkëpunimi për Kinën dhe BE-në, duke krijuar një të ardhme më të qëndrueshme bashkëpunimi.

1、Plani i 15-të Pesëvjeçar sjell qëndrueshmëri dhe siguri në bashkëpunimin Kinë-BE

Në vitet e fundit, përballë ndryshimeve gjeopolitike, rritjes së antiglobalizimit e proteksionizmit dhe veçanërisht ndryshimit populist të djathtë ekstrem në strategjinë globale të ShBA-së, mjedisi ekonomik global për bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë po përballet me sfida themelore dhe po riformësohet. Mendësia e “lojës ku fituesi i merr të gjitha” po bëhet gjithnjë e më mbizotëruese dhe ankthi strategjik evropian është intensifikuar gjithashtu në njëfarë mase. Ekonomia evropiane e orientuar drejt eksportit, është shumë e varur nga tregu botëror, dhe është shpërfaqur dobësia e saj përballë konflikteve gjeopolitike e luftës tarifore të ShBA-së, duke penguar ndjeshëm rimëkëmbjen dhe transformimin e saj.

Një mjedis i qëndrueshëm institucional ka qenë gjithmonë një parakusht për bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë midis Kinës dhe BE-së, si edhe një garanci kyçe për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm. Në 50 vjetët që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e BE-së, fushat e bashkëpunimit janë zgjeruar vazhdimisht, me tregtinë dhe investimet që po integrohen gjithnjë e më shumë. Tregtia dypalëshe është rritur nga 2.4 miliardë dollarë amerikanë në fillim të marrëdhënieve diplomatike, në rreth 800 miliardë dollarë amerikanë sot, dhe investimet janë shtuar nga pothuajse zero në gati 260 miliardë dollarë amerikanë, duke formuar një marrëdhënie ekonomike simbiotike të fortë. Suksesi i ndërsjellë dhe marrëdhënia simbiotike midis Kinës e BE-së rrjedh jo vetëm nga besimi i Kinës në integrimin evropian, por edhe nga politika e vendosur e Reformës dhe Hapjes e Kinës, që i solli pritshmëri të qëndrueshme Evropës. Megjithatë, në sfondin e përshkallëzimit të rivalitetit të fuqive të mëdha dhe rritjes së antiglobalizimit, proteksionizmit e nacionalizmit, Evropa po përjeton gjithashtu ankth në lidhje me strategjinë e zhvillimit të Kinës, duke u shqetësuar nëse do të shkojë edhe Kina drejt proteksionizmit dhe se si do ta balancojë Kina marrëdhënien midis tregut e qeverisë dhe midis prodhimit e konsumit.

Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, partnerja e dytë më e madhe tregtare e BE-së dhe një fuqi ndërkombëtare në rritje, qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e politikave të brendshme e të jashtme të Kinës të demonstruara në Planin e saj të 15-të Pesëvjeçar janë pa dyshim një siguri për Evropën, e cila ka vuajtur nga trazirat globale dhe politikat e çrregullta të administratës së presidentit Trump. Plani i 15-të Pesëvjeçar përcakton qartë drejtimet strategjike të “zhvillimit me cilësi të lartë” dhe “hapjes në nivel të lartë”, vazhdon parimin e “dhënies së plotë të rolit vendimtar tregut në ndarjen e burimeve” që është karakteristik për ekonominë socialiste të tregut të Kinës, dhe thekson fokusin e ri strategjik të stimulimit dhe rritjes së kërkesës së brendshme. Plani vë në dukje më tej epërsinë e tregut supergjigant të Kinës, duke dërguar një sinjal të vazhdimësisë së politikave, qëndrueshmërisë e hapjes, duke i sjellë qëndrueshmëri dhe hov bashkëpunimit kino-evropian.

2. Zhvillimi me cilësi të lartë lehtëson përmirësimin dhe transformimin e bashkëpunimit Kinë-BE

Si një plan zhvillimi që lidh të kaluarën dhe të ardhmen në procesin e realizimit në thelb të modernizimit socialist, Plani i 15-të Pesëvjeçar vazhdon të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, por i kushton më shumë rëndësi çështjes së zhvillimit me cilësi të lartë dhe reformës e inovacionit si forca lëvizëse themelore. Detyrat kryesore përfshijnë ndërtimin e një sistemi modern industrial dhe përshpejtimin e vetëbesimit teknologjik të nivelit të lartë, duke udhëhequr zhvillimin e forcave të reja prodhuese. Fushat kryesore përfshijnë optimizimin dhe përmirësimin e industrive tradicionale, kultivimin dhe zgjerimin e industrive në zhvillim e të ardhshme, promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë dhe efikas të industrisë së shërbimeve, ndërtimin e një sistemi modern të infrastrukturës, promovimin e integrimit të thellë të inovacionit teknologjik e industrial dhe përparimin e mëtejshëm të ndërtimit të Kinës Digjitale dhe Kinës së Gjelbër. Kjo do të thotë që Kina do të evoluojë më tej nga “fabrika e botës” në një “qendër botërore inovacioni” dhe “fushë zbatimi të teknologjisë së gjelbër”. Gjatë vizitës së tij në Kinë, mbreti Felipe VI i Spanjës deklaroi se Perëndimi është i gatshëm të mbajë shkëmbime të ngushta me Kinën, të shfrytëzojë mundësitë e rëndësishme të sjella nga zbatimi i Planit të 15-të Pesëvjeçar nga Kina dhe të forcojë bashkëpunimin në fusha të tilla si tregtia, industria, shkenca e teknologjia dhe energjia e gjelbër. Kancelari gjerman Merz, në një takim me kryeministrin Li Qiang, theksoi se beson që Plani i 15-të Pesëvjeçar i Kinës do t’i sjellë mundësi Gjermanisë e BE-së, dhe u shpreh i gatshëm të eksplorojë potencialin për bashkëpunim në fushat e reja, si shkenca dhe teknologjia.

Foto nga VCG

Zhvillimi me cilësi të lartë i Kinës ofron një shtysë të re për bashkëpunimin Kinë-BE. Me inovacionin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të Kinës në fushat e gjelbra dhe digjitale, bashkëpunimi ekonomik e tregtar kino-evropian po ngrihet vazhdimisht në cilësi, po përmirësohet dhe po transformohet. Në vitin 2025, bashkëpunimi ekonomik e tregtar kino-evropian ka demonstruar rritjen e qëndrueshme të industrive tradicionale dhe përmirësimin e industrive në zhvillim. Tregtia në “tre fushat e reja”, si produktet e gjelbra dhe automjetet me energji të re, po rritet me shpejtësi, dhe përqindja e produkteve me vlerë të shtuar të lartë e teknologji të lartë në tregti vazhdon të ngrihet. Për sa u përket investimeve, kompanitë gjermane po investojnë gjithnjë e më shumë në projekte të mëdha kërkimi e zhvillimi në Kinë, duke synuar të forcojnë praninë e tyre afatgjatë në tregun kinez. Investimet e kompanive kineze në Evropë, si BYD dhe CATL, përfaqësohen gjithashtu nga industri të gjelbra, duke treguar se bashkëpunimi ekonomik e tregtar kino-evropian po përjeton përmirësim e transformim. Inovacioni i gjelbër dhe digjital i përmendur në Planin e 15-të Pesëvjeçar të Kinës do të ofrojë më tej një shtysë të re për përmirësimin dhe transformimin e bashkëpunimit kino-evropian. Në fushën e automjeteve me energji të re, epërsitë e Kinës sa u përket baterive, motorëve dhe zinxhirëve inteligjentë të furnizimit mund të kombinohen thellësisht me ekspertizën e Evropës në projektimin e automjeteve, markat e nivelit të lartë dhe kërkimin e zhvillimin e përparuar, siç janë bateritë në gjendje të ngurtë dhe qelizat e karburantit me hidrogjen, për të përcaktuar së bashku standardet e ardhshme të lëvizshmërisë. Në ekonominë qarkulluese, teknologjitë e përparuara të Evropës në trajtimin e mbeturinave dhe riciklimin e materialeve mund ta ndihmojnë Kinën të ndërtojë një sistem “qytetesh pa mbeturina”. Thellimi i ekonomisë digjitale të Kinës gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar mund të fuqizojë transformimin digjital të Evropës.

III. Rritja e kërkesës së brendshme dhe hapja në nivel të lartë: Zgjerimi i mundësive për bashkëpunimin Kinë-BE

Si një ekonomi e hapur, Evropa është shumë e varur nga tregjet e jashtme, dhe një sistem ekonomik global i qëndrueshëm e i hapur është çelësi për rimëkëmbjen dhe rritjen e saj ekonomike. Në vitin 2025, në sfondin e tronditjeve gjeopolitike dhe luftës tarifore të ShBA-së, rimëkëmbja ekonomike e Evropës ishte e dobët, veçanërisht në Gjermani, një ekonomi kryesore dhe përcaktuese, ku rritja ekonomike vjetore ishte vetëm 0.4%, shumë më poshtë mesatares së BE-së dhe Eurozonës. Në këtë sfond, objektivat e zhvillimit të Planit të 15-të Pesëvjeçar të Kinës për rritjen e kërkesës së brendshme dhe strategjia e saj për zgjerimin e hapjes në marrëdhëniet ekonomike të jashtme pa dyshim do të sjellin mundësi të reja për rritjen ekonomike evropiane dhe bashkëpunimin Kinë-BE.

Një pamje e horizontit të qytetit të Shangait, Kinë, nëntor 2025. / Foto nga VCG

Objektivat e zhvillimit të Planit të 15-të Pesëvjeçar për rritjen e kërkesës së brendshme do të shfrytëzojnë më tej potencialin e tregut të popullsisë masive prej 1.4 miliardë banorësh të Kinës, duke u përkthyer drejtpërdrejt në kërkesë për mallra dhe shërbime të importuara me cilësi të lartë. BE-ja është burimi më i madh i importeve të mallrave të konsumit në Kinë. Zgjerimi i vazhdueshëm i kërkesës së brendshme nga Kina do të thotë që produktet evropiane, si automjetet, makineritë, mallrat luksoze dhe ushqimet, do të kenë një hapësirë më të gjerë tregu. Rritja e kërkesës së brendshme kineze do t’u ofrojë gjithashtu kompanive evropiane që operojnë në Kinë, pritshmëri të qëndrueshme të tregut, duke forcuar besimin e tyre te struktura industriale e Kinës. Ndërkohë, përmirësimi i kërkesës së brendshme në Kinë po nxit kërkesën për prodhim të nivelit të lartë, teknologji të gjelbra dhe shërbime digjitale, duke forcuar më tej plotësueshmërinë industriale midis Kinës e Evropës në fusha të tilla si pajisjet e nivelit të lartë, energjia e pastër dhe inteligjenca artificiale, e duke promovuar bashkërendimin dhe integrimin e investimeve midis ndërmarrjeve kineze e evropiane.

Përballë ringjalljes së nacionalizmit, proteksionizmit në rritje dhe një momenti kritik të ristrukturimit në sistemin global të tregtisë së lirë, strategjia e përcaktuar qartë e Planit të 15-të Pesëvjeçar për bashkëpunim të hapur dhe përfitim të ndërsjellë, duke zgjeruar në mënyrë aktive hapjen e pavarur, duke promovuar zhvillimin inovativ të tregtisë, duke zgjeruar hapësirën e investimeve dypalëshe dhe ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë”, thekson gatishmërinë e sinqertë të Kinës për të ndarë mundësitë e zhvillimit me të gjitha palët. Ndër këto masa, zgjerimi i hyrjes në treg dhe fushat e hapjes me fokus në sektorin e shërbimeve, zgjerimi i zonave dhe rajoneve të hapjes së njëanshme, promovimi i zhvillimit të balancuar të importit dhe eksportit, zvogëlimi i listës negative për hyrjen e investimeve të huaja, promovimi i riinvestimit të kapitalit të huaj në Kinë, përmirësimi i sistemit të garancisë së shërbimeve për investimet e huaja, zbatimi i plotë i trajtimit kombëtar, promovimi i qarkullimit efikas, të përshtatshëm e të sigurt ndërkufitar të të dhënave, si edhe krijimi i një mjedisi institucional transparent, të qëndrueshëm e të parashikueshëm, të gjitha këto nënkuptojnë një ndryshim në hapjen e Kinës nga vendosja e fokusit në të kaluarën në qarkullimin e mallrave dhe faktorëve të prodhimit, në një qasje më të institucionalizuar bazuar në rregulla, menaxhim dhe standarde. Kjo do të krijojë një mjedis institucional më të përshtatshëm për tregtinë e investimet globale dhe do të sjellë mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi e bashkëpunimi për vendet e mbarë botës, përfshirë ato evropiane. Në veçanti, zgjerimi i hyrjes në treg dhe hapja sektoriale, me fokus në sektorin e shërbimeve, do të ofrojë më shumë mundësi për eksportuesit evropianë të shërbimeve. Sigurisht, qëndrueshmëria dhe mundësitë e sjella nga Plani i 15-të Pesëvjeçar për bashkëpunimin Kinë-BE, duke e transformuar potencialin e bashkëpunimit në realitet, kërkojnë që të dyja palët të forcojnë besimin e ndërsjellë strategjik në sfondin e ndryshimeve gjeopolitike, të kenë mirëkuptim të ndërsjellë dhe veçanërisht të kapërcejnë konfliktet gjeopolitike e pengesat ideologjike.

Anijet shkarkojnë mallra në Portin e Ri Shidao në Rongcheng, Provinca Shandong e Kinës lindore, nëntor 2025. /Foto nga VCG

Duke u pozicionuar si partnere, ato duhet të arrijnë një bashkëpunim me përfitime të ndërsjella nëpërmjet bashkëpunimit pragmatik, duke u sjellë dobi të dyja palëve dhe botës. Përballë marrëdhënies së përçarë midis Evropës dhe SHBA-së, zhvendosja e fundit “drejt lindjes” e udhëheqësve evropianë që vizitojnë Kinën, nuk duhet të jetë një masë e përkohshme, por një zgjedhje strategjike e bërë nga një perspektivë strategjike dhe nga një pikëpamje më e gjerë historike, duke u bazuar në interesat e përbashkëta të Kinës, BE-së dhe botës. Në fund të fundit, megjithëse Kina dhe BE-ja kanë dallime në histori, sisteme dhe kulturë, 50 vjetët e bashkëpunimit midis dy palëve kanë provuar vazhdimisht se ato mund të kërkojnë terren të përbashkët duke lënë mënjanë dallimet, duke krijuar një partneritet strategjik të qëndrueshëm të bazuar në respektin e ndërsjellë, barazinë dhe përfitimin e përbashkët. Pa përmendur pastaj faktin që, në sfondin kur rendi dhe rregullat ndërkombëtare përballen sot me kërcënimin e shkatërrimit, Kina dhe BE-ja kanë një përgjegjësi dhe interes të përbashkët për të parandaluar që bota të kthehet në “ligjin e xhunglës”.

_____________________________________

*Ky artikull është pjesë e edicionit special të Revistës Gjeopolitike ARGUMENTUM, “Kina 2026-2030: Motor i Zhvillimit dhe Fuqisë së Inovacionit”.

/Argumentum.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat