Transporti urban dhe ndërqytetas do të rikthehet në normalitet pas një marrëveshjeje të arritur mes Shoqatës së Transportit dhe përfaqësuesve të qeverisë dhe pushtetit vendor.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës, gjatë një takimi me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe nënkryetaren e bashkisë, është rënë dakord që shërbimi të vijojë normalisht.
Në takim është diskutuar gjithashtu edhe për një subvencion të mundshëm për karburantin, me pagesë për litër, ndërsa vlera e tij pritet të përcaktohet në vijim.
Shoqata bën me dije se nga sot transporti do të operojë me kapacitet të plotë, duke theksuar se operatorët janë të gatshëm të ofrojnë shërbimin normalisht pas situatës së ditëve të fundit.
“Patëm një takim me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe nënkryetaren e bashkisë, u dakordësuam që transporti do të rikthehet në normalitet dhe do të ketë subvencion lekë për litër, por do të jetë në diskutim si vlerë,” u shpreh shoqata.
Në vijim pritet edhe një tjetër takim gjatë javës së ardhshme, ku do të diskutohen kërkesa të tjera ekonomike si TVSH, akciza dhe kategoritë që përfitojnë udhëtim falas.



