Detaje të reja kanë dalë në lidhje me hetimet për mashtrimet e dyshuara në tre call center në Tiranë, ku sipas dosjes hetimore dy shtetas kanë përfituar mbi 8 milionë dollarë në formë kriptovalutash.
Sipas materialeve të siguruara nga gazetarja e Anila Hoxha, autoritetet austriake kanë identifikuar si përfitues kryesorë Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra, të cilët dyshohet se kanë përfituar respektivisht 3.2 milionë dhe 4.8 milionë dollarë.
Hetimet tregojnë se kriptovalutat më pas janë konvertuar në para fizike përmes veprimtarive të ndryshme financiare, përfshirë edhe një zyrë këmbimi valutor në Tiranë, e identifikuar si “Alba Forex”, ku dyshohet se janë kryer transaksione të kthimit të kriptomonedhave në valutë.
Në dosje përmendet gjithashtu se Arbëror Agastra, babai i njërit prej të dyshuarve, është pronar i kësaj zyre këmbimi dhe ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas hetimeve, një pjesë e rrjetit dyshohet se ka operuar përmes platformave të investimeve online, ku viktimat janë kontaktuar nga persona që paraqiteshin si këshilltarë financiarë dhe janë nxitur të investojnë në platforma të dyshuara.
Autoritetet austriake kanë referuar gjithashtu se transaksionet e kryera lidhen drejtpërdrejt me adresat kripto të dy të dyshuarve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të skemës vijojnë.
Në kuadër të procedimeve janë lëshuar edhe urdhër-arreste për disa persona, të akuzuar për “ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare” dhe “fshehje të të ardhurave”, ndërsa dosja po hetohet në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.



