Detaje të reja dalin nga dosja e Prokurorisë së Posaçme lidhur me vilën luksoze në Palasë, e cila një ditë më parë u sekuestrua nga autoritetet në kuadër të hetimit ndaj Belinda Ballukut.
Në dosje janë përfshirë edhe komunikime të vitit 2020, të cilat sipas SPAK hedhin dritë mbi mënyrën se si po projektohej dhe pajisej vila gjatë kohës që ishte ende në ndërtim.
Një prej komunikimeve është një e-mail i datës 14 shtator 2020, që biznesmeni Alban Eftimi i ka dërguar Ballukut. Në të përshkruhen me detaje ndërhyrjet e planifikuara në vilë, nga pishina dhe ambientet e jashtme, deri te suitat dhe kuzhina.
Në e-mail përmenden edhe elementë luksozë të projektit, si “infinity pool”, vaska hidromasazhi, ambiente të veshura me dru “teak” dhe ndarje fizarmonike në disa prej ambienteve të brendshme.
Eftimi i shkruan Ballukut se ishte menduar që vila të ofronte një standard të lartë edhe në rast se në të ardhmen do të jepej me qira.
Në komunikim përmendet ndër të tjera edhe vendosja e një tavoline ngrënieje pranë pishinës, hapësira për vendosjen e gotave dhe pjatave në skajin e pishinës, si dhe vaska hidromasazhi, për të cilat referohet edhe një hotel në Santorini si model.
Katër ditë më vonë, më 18 shtator 2020, biznesmeni i dërgon Ballukut një tjetër dokument me titullin “Vilat binjake Palasë”.
Dokumenti përmban 11 faqe dhe përfshin planimetritë dhe projektet e dy vilave, me detaje për sipërfaqet dhe organizimin e ambienteve.
Sipas hetimit të SPAK, ndërtimi i vilës fillimisht ka arritur deri në fazën e karabinasë dhe në këtë pjesë të punimeve ka investuar Igli Tare.
Më pas, sipas Prokurorisë, punimet e tjera janë marrë përsipër nga biznesmeni Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”.
Kjo kompani ka fituar edhe tenderin për lotin 7 të Unazës së Madhe.
Komunikimet dhe dokumentet e sekuestruara janë pjesë e provave që SPAK po analizon në kuadër të hetimit. Prokuroria dyshon se vila është përfituar në mënyrë korruptive, ndërsa hetimi pritet të përcaktojë lidhjet mes personave të përfshirë dhe burimin e financimit të pronës.
Sekuestrimi i vilës në Palasë është pjesë e masave të ndërmarra nga SPAK në kuadër të hetimit, ndërsa çështja vijon të jetë në fazën hetimore.



