KreuDrejtësiaRregullorja e re për median/ GJKKO mbyll grupin e gazetarëve në WhatsApp

Rregullorja e re për median/ GJKKO mbyll grupin e gazetarëve në WhatsApp

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur grupin e komunikimit në WhatsApp ku ishin të përfshirë gazetarët që ndjekin aktivitetin e saj.

Grupi shërbente si një kanal komunikimi mes gjykatës dhe gazetarëve, ku përcilleshin njoftime dhe informacione lidhur me seancat gjyqësore dhe proceset që zhvillohen në GJKKO.

Mbyllja e grupit vjen pas hyrjes në fuqi të rregullores së re për aksesin e medias në proceset gjyqësore. Gazetarët që mbulojnë aktivitetin e GJKKO-së kanë vendosur të mos plotësojnë formularët e akreditimit të kërkuar nga gjykata, duke kundërshtuar kufizimet e parashikuara në rregulloren e re.

Rregullorja, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator, përcakton se gazetarët që duan të ndjekin seancat gjyqësore duhet të pajisen me një kartë të posaçme akreditimi nga GJKKO.

Në rastet kur gazetari i akredituar nuk është i pranishëm dhe redaksia dërgon një koleg tjetër, ky i fundit konsiderohet pjesë e publikut dhe mund të hyjë në sallën e gjyqit vetëm nëse ka vende të lira.

Krahas akreditimit, rregullorja vendos kufizime edhe për përdorimin e telefonave celularë, regjistruesve dhe kamerave brenda sallës së gjyqit. Këto kufizime kanë sjellë kundërshtime nga gazetarët që ndjekin proceset në GJKKO.

Për këtë arsye, gazetarët kanë rënë dakord që, të paktën deri në një moment të dytë, të mos plotësojnë formularët e akreditimit dhe i kanë kërkuar gjykatës rishikimin e rregullores.

Çështja është ndjekur edhe nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila ka bërë të ditur se është në komunikim me GJKKO-në dhe po konsultohet me palë të tjera të interesuara.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat