Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një efektiv të Njësisë së Posaçme “Shqiponja”, i akuzuar për përfshirje në aktivitet kriminal me lëndë narkotike dhe shfrytëzim të një të mituri.
Sipas organit të akuzës, shtetasi B.D. (Brian Dëma) akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shtytja e të miturit në krim”, të parashikuara nga nenet 283/1, 248 dhe 129 të Kodit Penal.
Hetimet, të nisura në vitin 2024 në kuadër të procedimit penal nr. 380, kanë provuar se efektivi ka ndërmarrë veprime të qëllimshme për të rekrutuar një nxënës të mitur, me inicialet E.H., i cili rezultonte përdorues i lëndëve narkotike dhe jetonte në kushte të vështira familjare dhe ekonomike.
Fillimisht, sipas prokurorisë, i mituri është afruar nga efektivi me pretendimin për të siguruar informacione me karakter policor. Por hetimi ka zbuluar se qëllimi i vërtetë ishte përdorimi i tij për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Duke shfrytëzuar pozitën e tij si punonjës policie dhe varësinë e të miturit ndaj drogës, i pandehuri ka arritur ta përfshijë atë në aktivitetin e paligjshëm, duke e përdorur për shitjen e narkotikëve.
Nga hetimi proaktiv rezulton se B.D. ka kryer veprime aktive me dashje, duke mos përmbushur rregullisht detyrën dhe duke cenuar interesat e shtetit, rendin publik si dhe interesin më të lartë të të miturit.
Prokuroria e Fierit thekson se mbetet e angazhuar për të ndjekur penalisht çdo punonjës të shërbimit publik që përfshihet në veprimtari kriminale, veçanërisht kur ato prekin sigurinë publike dhe të drejtat e fëmijëve.



