back to top
17.5 C
Tirana
E martë, 21 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetPas protestës së 17 prillit/ Baçi: Nuk dihet ku mund të shkojë...

Pas protestës së 17 prillit/ Baçi: Nuk dihet ku mund të shkojë situata

Pas zhvillimeve në protestën e 17 prillit, ku u lënduan disa deputetë dhe 11 protestues u shoqëruan në komisariat, deklaratat për vijimin e aksioneve opozitare kanë marrë një ton më të ashpër.

I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, la të kuptohet se protesta e radhës mund të përshkallëzohet, duke mos përjashtuar përplasje civile.

I pyetur mbi deklaratën e kreut të PD-së, Sali Berisha, se përgjigjja ndaj policisë do të jetë proporcionale, Baçi u shpreh se dinamika e protestës varet nga vetë qytetarët.

“Në protestë nuk shkon njeri për të kënduar apo kërcyer. Nuk e di se ku mund të shkojë. Nuk është përgjegjësi e qytetarëve se deri ku mund të shkojë,” tha ai.

Sipas Baçit, revolta qytetare është në nivele të larta, e nxitur nga vështirësitë ekonomike, papunësia dhe emigrimi. Ai theksoi se Partia Demokratike është në krah të protestuesve, por nuk mund të frenojë reagimin e tyre.

Deputeti opozitar kritikoi gjithashtu rolin e policisë, duke thënë se ajo duhet të garantojë rendin dhe sigurinë e qytetarëve, e jo të mbrojë institucionet qeveritare.

Duke iu referuar protestës së fundit, Baçi akuzoi policinë për ushtrim dhune dhe përpjekje për të frikësuar qytetarët përmes shoqërimeve dhe mbajtjes së tyre për orë të gjata në komisariate.

Në këtë kontekst, ai mbështeti idenë e një “përgjigjeje proporcionale” ndaj forcave të rendit në protestat e ardhshme, duke theksuar se reagimi i qytetarëve do të varet nga mënyra se si do të sillet policia.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat