back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 22 Prill, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaGJKKO ‘ultimatum’ kryebashkiakes së Roskovecit

GJKKO ‘ultimatum’ kryebashkiakes së Roskovecit

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në datën 7 maj seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, duke paralajmëruar se në rast të mungesës së saj apo të avokatëve në seancën e radhës, procesi do të vijojë në mungesë.

Vendimi i gjykatës erdhi pas mungesave të përsëritura në seanca si nga vetë e pandehura, ashtu edhe nga përfaqësuesit e saj ligjorë. Si masë ndëshkuese, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi gjobë prej 10 mijë lekësh për secilin prej dy avokatëve mbrojtës.

Gjatë seancës, u theksua se e pandehura do të njoftohet zyrtarisht se nëse nuk paraqitet në datën e ardhshme, gjykimi do të vazhdojë pa praninë e saj apo të mbrojtjes.

Procesi gjyqësor ndaj Bufit, e akuzuar për “përdorim të funksioneve publike për veprimtari zgjedhore”, ndodhet në fazën e konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes.

Më herët, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar shpalljen fajtore të saj dhe dënimin me 1 vit e 6 muaj burg, dënim që u reduktua në 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Në përfundim, SPAK ka kërkuar pezullimin e dënimit me burg dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare.

Majlinda Bufi u mor e pandehur më 14 nëntor 2025, nën akuzën për “përdorim të funksionit publik për veprimtari politike”, sipas nenit 328/a/3 të Kodit Penal.

Ndaj saj janë depozituar disa kallëzime në SPAK gjatë viteve të fundit. Sipas akuzave, ajo dyshohet se ka ushtruar presion dhe kërcënime ndaj punonjësve të administratës publike gjatë fushatave zgjedhore, me qëllim ndikimin në votën e tyre. Gjithashtu, një kallëzim tjetër nga dega e Partisë Demokratike në Roskovec e akuzon për keqpërdorim të tenderave.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat