KreuAktualitetPolitikaKush i verifikon njerëzit që mbajnë sekretet e shtetit?

Kush i verifikon njerëzit që mbajnë sekretet e shtetit?

Arresti i drejtueses së SHISH-it e rikthen në qendër të vëmendjes filtrin e sigurisë për zyrtarët që kanë akses te informacioni i klasifikuar.

Ligji parashikon certifikatë sigurie dhe verifikime të posaçme, por rasti i Vlora Hysenit ngre pikëpyetje për mënyrën se si funksionon ky mekanizëm kur personi që drejton një prej institucioneve më sensitive të shtetit përfundon nën hetim për dyshime që përfshijnë edhe sekretin shtetëror.

Kush e merr certifikatën e sigurisë?

Ligji shqiptar për informacionin e klasifikuar e përkufizon Certifikatën e Sigurisë së Personelit si dokumentin zyrtar që vërteton se një individ, nga pikëpamja e sigurisë, plotëson kushtet për të njohur, ruajtur, administruar dhe transferuar informacion të klasifikuar.

Po i njëjti ligj përcakton se informacioni “sekret shtetëror” mbrohet nga humbja, vjedhja, rrjedhja, përhapja e paautorizuar dhe çdo formë tjetër komprometimi të sigurisë. Ligji përfshin në këtë regjim edhe informacionin e klasifikuar të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe shteteve e organizatave të tjera ndërkombëtare.

Pra, në sistemin shqiptar ekziston një mekanizëm formal sigurie. Një person që duhet të ketë akses në informacion të klasifikuar nuk mjafton të ketë vetëm një post zyrtar. Ekziston edhe koncepti i “nevojës për njohje”, që do të thotë se aksesi duhet të lidhet me nevojën konkrete të funksionit që kryen personi.

Por, sa i thellë është ky filtër dhe çfarë ndodh kur, pavarësisht filtrave të sigurisë, personi që ka arritur në një nga postet më të ndjeshme të shtetit përfundon nën hetim për një vepër që lidhet me sekretin shtetëror?

Kush i kontrollon kontrolluesit?

Problemi më i madh institucional nuk është vetëm nëse një person ka kaluar apo jo një verifikim sigurie. Është edhe pyetja se çfarë mekanizmash funksionojnë pas emërimit.

Ligji për informacionin e klasifikuar e trajton sigurinë si një sistem që përfshin klasifikimin, administrimin, mbrojtjen, kontrollin e aksesit dhe menaxhimin e riskut.

Në këtë sistem, AKSIK është përcaktuar si autoriteti përgjegjës për hartimin dhe kontrollin e zbatimit të politikave dhe standardeve për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror” të NATO-s, BE-së dhe shteteve e organizatave të tjera ndërkombëtare.

Kjo do të thotë se siguria e informacionit nuk është thjesht çështje e një institucioni të vetëm.

Rreziku nuk është vetëm brenda Shqipërisë

Problemi bëhet edhe më i ndjeshëm për shkak të natyrës së informacionit që qarkullon në institucionet e sigurisë.

Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe institucionet shqiptare administrojnë informacion të klasifikuar që lidhet edhe me aleatët dhe organizatat ndërkombëtare. Vetë ligji shqiptar e përfshin këtë informacion në regjimin e mbrojtjes së sekretit shtetëror.

Kush mban përgjegjësi nëse filtri dështon?

Kjo është pyetja që rasti i SHISH-it e vendos në tryezë.

Nëse drejtuesit e institucioneve më sensitive kalojnë procedurat e verifikimit dhe më pas përfundojnë nën hetim për dyshime që lidhen me informacionin sekret, atëherë duhet të analizohet jo vetëm sjellja e individit, por edhe sistemi që e lejoi atë të arrinte dhe të qëndronte në atë pozicion.

Dhe pikërisht këtu qëndron çështja që rasti Vlora Hysenit lë pas. Jo vetëm kush do të përgjigjet para drejtësisë, por kush verifikon njerëzit që u besohet sekreti i shtetit dhe kush përgjigjet kur ky filtër dështon.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat