Rregulla të reja për fondet private të pensioneve pritet të sjellin më shumë kontroll dhe transparencë për qytetarët. Ndryshimet ligjore janë hedhur për konsultim publik dhe synojnë përafrimin e kuadrit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Në qendër të ndryshimeve është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të cilit i zgjerohen kompetencat për mbikëqyrjen e fondeve të pensioneve dhe shoqërive administruese.
Projektligji parashikon rregulla më të forta për menaxhimin e rrezikut, auditimin e brendshëm dhe mënyrën e qeverisjes së fondeve. Funksionet kryesore të administrimit nuk do të mund t’u delegohen palëve të treta.
Një tjetër ndryshim lidhet me mbrojtjen e kursimeve të qytetarëve. Pasuritë e fondit do të mbahen të ndara nga pasuritë e shoqërisë administruese, në mënyrë që kursimet e anëtarëve të mos përfshihen në pasurinë e shoqërisë në rast të problemeve financiare.
Edhe informacioni që u jepet anëtarëve të fondeve parashikohet të zgjerohet. Ata do të kenë të dhëna më të plota për kursimet e tyre, përfshirë parashikimet e pensionit dhe skenarë të ndryshëm mbi përfitimet që mund të marrin.
Ndryshimet prekin edhe aktivitetin ndërkufitar, duke vendosur rregulla për transferimin e skemave të pensioneve mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.



