back to top
22.5 C
Tirana
E shtunë, 25 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetRama paralajmëron bashkitë/ "Pa agroturizëm, s’ka kandidim"

Rama paralajmëron bashkitë/ “Pa agroturizëm, s’ka kandidim”

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se sfidat në zhvillimin rural nuk lidhen me mungesën e fondeve, por me cilësinë e projekteve dhe aplikimeve, duke theksuar se mbështetja financiare për fermerët është rritur ndjeshëm.

Gjatë një takimi me fermerët në Dibër, Rama u shpreh se tashmë nuk ka më justifikime për mungesë rezultatesh, duke vendosur përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi pushtetin vendor.

“Problemi është tek projekti dhe aplikimi, paratë janë. E kemi rritur ndjeshëm mbështetjen. Askush nuk ka më alibi, as kryetarët e bashkive,” deklaroi ai.

Kryeministri theksoi se bashkitë duhet të luajnë një rol më aktiv dhe të jenë aleatë të fermerëve në zhvillimin e zonave rurale, duke nxitur iniciativa konkrete si agroturizmi dhe bashkëpunimi mes fermerëve.

Ai paralajmëroi se mungesa e rezultateve në këto drejtime do të ketë pasoja edhe në aspektin politik.

“Po nuk bëtë 10 agroturizma me Paketën e Maleve dhe 3 shoqëri të bashkuara, mos hajdeni të pretendoni të kandidoni më,” u shpreh Rama.

Duke folur për potencialin e zonës, ai theksoi se Dibër ka burime të mëdha natyrore dhe turistike që duhet të shfrytëzohen më mirë.

“Pasuria e Dibrës është tek toka, malet dhe turizmi. Rruga e Arbrit i sjell të gjithë këtej. Kjo është e mundur,” shtoi ai.

Rama nënvizoi gjithashtu se qyteti i Peshkopi është relativisht i vogël në raport me potencialin e gjithë zonës së Dibrës, duke kërkuar një qasje më të gjerë dhe më të integruar për zhvillimin ekonomik të rajonit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat