back to top
22.5 C
Tirana
E shtunë, 25 Prill, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaMeta si Veliaj/ Kërkon transmetim “live” të gjyqit në GJKKO

Meta si Veliaj/ Kërkon transmetim “live” të gjyqit në GJKKO

Kreu i Partisë së Lirisë dhe ish-Presidenti Ilir Meta i është drejtuar me një kërkesë publike Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kërkuar që të gjitha seancat gjyqësore ndaj tij të transmetohen drejtpërdrejt për publikun.

Kërkesa vjen në prag të nisjes së gjykimit në themel të çështjes, i cili është planifikuar të fillojë më 27 prill. Në këtë proces, përveç Metës, janë të pandehur edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë.

Në deklaratën e tij, Meta thekson se transparenca dhe llogaridhënia janë thelbësore për funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve.

“Në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe bashkëkombasve kudo që ndodhen, kërkoj që i gjithë procesi të transmetohet live, nga seanca e parë e deri në përfundim. Transparenca është detyrim për çdo institucion dhe funksionar publik,” shprehet ai.

Meta kërkon gjithashtu që mediave dhe gazetarëve t’u vihet në dispozicion sinjali i transmetimit për të garantuar informim të plotë publik mbi zhvillimet e procesit.

Ish-Presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit 2024, ndërsa ndaj tij po zhvillohen hetime për disa çështje, përfshirë aferën CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI-së në Shtetet e Bashkuara dhe hetimin pasuror.

Në këtë dosje janë marrë të pandehur edhe Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku.

Sipas akuzave, Meta dhe Kryemadhi dyshohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Procesi që pritet të nisë më 27 prill konsiderohet një nga çështjet më të rëndësishme të drejtësisë në vend, për shkak të profilit të lartë të të pandehurve dhe natyrës së akuzave.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat