Kandidati për zgjedhjet e 23 majit në Partinë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar se ka qëndruar për dekada në politikë pa sjellë, sipas tij, ndryshime për qytetarët.
Në një postim në rrjetet sociale, Salianji shprehet se Berisha ka ndërtuar një mentalitet politik të vjetër dhe po përpiqet të krijojë “armiq” për të shmangur garën për drejtimin e ri të partisë.
“36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij,” shkruan Salianji, duke shtuar se përplasjet e sotme politike lidhen me frikën nga ndryshimi në lidership.
Ai thekson gjithashtu se nuk është i përfshirë në asnjë marrëveshje apo bashkëpunim politik, duke u distancuar nga akuzat për pazare politike mes palëve.
“Unë nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij,” deklaron ai.
Salianji e akuzon më tej Berishën se përpiqet të shmangë debatin për problemet e brendshme të partisë dhe për çështje të tjera të ndjeshme, duke përmendur edhe çështje që lidhen me biznese dhe hetime, për të cilat kërkon reagim publik.
Në përfundim të deklaratës së tij, Salianji thekson se kritikat ndaj tij janë, sipas tij, për shkak të qëndrimeve të tij politike dhe përballjes me pushtetin, duke e paraqitur veten si një figurë që qëndron jashtë pazareve politike.



