Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar për Top Channel lidhur me disa mesazhe të publikuara, në të cilat pretendohet se ai është shprehur në mënyrë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedonia e Veriut.
Sipas këtyre pretendimeve, në një komunikim në grup është përdorur fraza: “po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”. Lidhur me këtë, Hoxha ka mohuar qëndrime të tilla, duke theksuar se politika e jashtme nuk komunikohet përmes mesazheve private.
Në reagimin e tij, ai nënvizon se çështja është sqaruar tashmë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme përmes një deklarate publike dhe se nuk ka asgjë për të shtuar më tej.
“Qëndrimet tona mbi politikën e jashtme nuk komunikohen as me SMS dhe as me WhatsApp. Ato bëhen përmes kanaleve zyrtare dhe transparente, të njohura për publikun dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe vetëm këto qëndrime prodhojnë efekt,” shprehet ai.
Hoxha gjithashtu thekson se çdo pozicion që ka mbajtur gjatë karrierës së tij diplomatike është publik dhe i dokumentuar, duke përmendur mbi 35 vite kontribut në shërbim të interesit kombëtar.
Deklarata vjen në një moment kur çështja ka ngjallur reagime dhe diskutime në opinionin publik, ndërsa institucionet përkatëse kanë kërkuar verifikimin e autenticitetit të mesazheve të publikuara.



