Ish-anëtari i Gjykata e Lartë, Shkëlzen Selimi, është shpallur i pafajshëm edhe nga Apeli i GJKKO.
Trupa gjykuese e përbërë nga Engert Pëllumbi, Igerta Hysi dhe Dhimitër Lara vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke rrëzuar ankimin e SPAK.
Në tetor të vitit 2022, SPAK e kishte dërguar Selimin për gjykim për veprën penale të “refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive”. Sipas organit të akuzës, hetimet kishin nxjerrë të dhëna për pasuri të paluajtshme të pajustifikuara me burime të ligjshme.
Në kuadër të hetimeve u vendos sekuestrimi i disa pasurive, përfshirë një truall dhe objekt tregtimi karburantesh në shëtitoren “Lungomare” në Vlorë, një truall në zonën e Jonufrës dhe një tjetër pasuri në “Rrugën Transballkanike”.
Procesi gjyqësor zgjati rreth dy vjet e gjysmë dhe u zhvillua me procedurë të zakonshme. Në përfundim, gjyqtarja Rudina Palloj vendosi shpalljen e pafajshme të Selimit, me argumentin se fakti penal nuk provohet se ekziston.
Shkëlzen Selimi ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë për rreth dy dekada, deri në shkarkimin e tij në vitin 2018 nga procesi i vetingut, për shkak të mosdeklarimit të kontakteve me persona të përfshirë në krim të organizuar.
Ndërkohë, edhe bashkëshortja e tij, ish-gjyqtarja Rilinda Selimi, është shkarkuar më herët nga detyra për kontakte të papërshtatshme, ndonëse pa probleme të konstatuara për pasurinë.



