Avokati i Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka ripërsëritur tre kërkesat kryesore të mbrojtjes, të cilat u rrëzuan nga GJKKO në seancën e fundit.
Përmes një reagimi publik, Ndreca kërkon hapjen e 35 fashikujve me prova digjitale, transmetimin live të gjyqit dhe heqjen e Veliajt nga kafazi i qelqtë gjatë seancave gjyqësore.
Sipas tij, një pjesë e provave rezultojnë të pahapura dhe të pashqyrtuara, ndërkohë që gjykata ka marrë vendime mbi to. Ai thekson se këto materiale nuk i janë vënë në dispozicion mbrojtjes dhe vetë i pandehuri nuk ka pasur mundësi të njihet me to.
Ndreca e cilëson reagimin e gjykatës si “tronditës”, duke pretenduar se kërkesat janë injoruar dhe se nuk është bërë asnjë verifikim mbi gjendjen e provave. Sipas tij, situata ngre pikëpyetje serioze mbi bazën e vendimmarrjes dhe krijon dyshime për një proces të paracaktuar.
Ai kritikon gjithashtu pranimin e gjykimit të shkurtuar për disa të pandehur, duke argumentuar se kjo është bërë në një kohë kur një pjesë e akteve nuk janë shqyrtuar.
Në reagim, avokati kundërshton edhe refuzimin për transmetimin publik të seancave, duke e konsideruar atë në kundërshtim me Kushtetutën dhe standardet evropiane, si dhe mospranimin e kërkesës për heqjen e kafazit të qelqtë, që sipas tij cenon dinjitetin dhe barazinë e të pandehurit në proces.
“Do të përdorim çdo mjet ligjor për ta rikthyer këtë proces në shinat e Kushtetutës dhe standardeve evropiane,” shprehet Ndreca.
Ai e cilëson situatën si një problem më të gjerë të sistemit të drejtësisë, duke paralajmëruar se përgjegjësitë për këtë proces do të kërkojnë adresim në të ardhmen.



