Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka zgjedhur të nisë ditën e shtunë në terren, duke inspektuar nga afër problematikat në Njësinë Administrative nr. 5 në Tiranë, zonë të cilën ai e përfaqëson si deputet.
Gjatë daljes në terren, Braçe ka denoncuar gjendjen e infrastrukturës dhe pastërtisë në zonë, duke e përshkruar situatën si problematike dhe të lënë pas dore. Sipas tij, në disa hapësira pranë pallateve në zemër të kryeqytetit, vihen re mbetje, baltë, pluhur, makina të braktisura dhe probleme të vazhdueshme me ujësjellësin dhe asfaltin e dëmtuar.
Kritikë ndaj festimeve të 1 Majit
Reagimi i tij vjen edhe pas një aktiviteti të zhvilluar një ditë më parë në zonën e Komunës së Parisit, ku drejtues politikë të Partisë Socialiste, përfshirë Taulant Balla dhe Ogerta Manastirliu, u panë në një aktivitet festiv për 1 Majin, ku u shërbyen edhe makarona për qytetarët.
Braçe e ka kritikuar këtë qasje, duke theksuar se ndërsa disa merrnin pjesë në festa, ai dhe banorët ishin në terren për të parë problemet reale të qytetit.
“Qyteti ka nevojë për punë”
Në reagimin e tij, deputeti socialist thekson se Tirana ka nevojë për ndërhyrje konkrete dhe punë të përditshme, jo për aktivitete simbolike dhe, siç i cilëson ai, “qoka politike”.
“Ky qytet ka nevojë për punë, punë, punë, jo për propagandë dhe festa,” është shprehur Braçe, duke theksuar se situata në terren mbetet shqetësuese.
Kritika nga brenda mazhorancës
Deklaratat e tij konsiderohen një kritikë e drejtpërdrejtë nga brenda radhëve të mazhorancës, duke vënë në dukje ndarjen e qëndrimeve për mënyrën se si trajtohen problematikat urbane dhe aktivitetet publike në kryeqytet.
Braçe vijon të jetë një nga zërat më të zëshëm brenda PS-së për çështje të infrastrukturës, urbanistikës dhe shërbimeve publike në terren.



