Pas ngjarjes së rëndë në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, ka paralajmëruar nisma për ndryshime ligjore.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, Manja u shpreh se së bashku me disa deputetë të tjerë do t’i drejtohen Kuvendit me propozime konkrete për ndërhyrje në Kodin Penal dhe atë Rrugor, me qëllim forcimin e masave ndaj shkeljeve të rënda, veçanërisht drejtimit të automjetit në gjendje të dehur.
“Ngjarja është shumë e rëndë. Nuk duhet të presim tragjedi të tilla për të ndërhyrë. Po shqyrtojmë të gjitha mangësitë për t’i adresuar me masat e duhura. Autori i një krimi të tillë nuk meriton të jetojë më mes nesh”, u shpreh Ulsi Manja.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Arian Ndoja, theksoi se problem mbetet zbatimi i ligjit ekzistues.
“Ne e kemi ligjin, me dënime nga 5 deri në 20 vite, por ai nuk zbatohet. Për më tepër, mungon infrastruktura bazë në zona të caktuara. Në atë lagje nuk ka hapësira për fëmijë apo kushte të sigurta, ndërsa rrugët janë ndërtuar nga vetë banorët”, u shpreh Ndoja.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje nevojën për masa më të forta ligjore dhe zbatim më rigoroz të tyre, në funksion të rritjes së sigurisë rrugore në vend.



