Partia Demokratike i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë për pajisje zgjedhore, në kuadër të procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë, ku aktualisht lideri i kësaj force politike Sali Berisha pritet të kandidojë pa rivalë.
Në dokumentin e firmosur nga sekretari organizativ Ervin Minarolli dhe të protokolluar në KQZ më 6 maj 2026, PD kërkon vënien në dispozicion të 30 kutive votimi, 100 dhomave të fshehta dhe 700 vulave plastike sigurie për kutitë e votimit.
Sipas kërkesës zyrtare, këto materiale konsiderohen të domosdoshme për garantimin e standardeve të administrimit zgjedhor, si dhe për sigurimin e transparencës dhe integritetit të procesit të votimit.
Kërkesa vjen në një moment kur situata në selinë e PD-së është shoqëruar me tensione të brendshme, pas një padie të depozituar nga anëtarja Mereme Sela, e cila u skualifikua nga gara për kryetar partie.
Procesi i zgjedhjeve të brendshme në PD pritet të përfundojë me rikonfirmimin e drejtimit aktual të partisë.



