Një prokuror i SPAK shfaqet në videot e Ergys Agasit, të shumëkërkuarit si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Burime të sigurta për VNA konfirmojnë se nga kamerat që Agasi kishte montuar në zyrën e tij, në zemër të Tiranës, shfaqet ndër të tjerë si vizitor edhe një prokuror antikorrupsion.
Bisedat mes prokurorit të posaçëm dhe Agasit mbahen top sekret, por grupi i hetimit tashmë ndodhet para dilemës, ta thërrasë apo jo në pyetje në kuadër të hetimit për aferën e AKSHI-t. Dhe kjo duket një procedurë e vështirë si profesionalisht, ashtu edhe për faktin që bëhet fjalë për një koleg që punon shumë afër me prokurorët që po hetojnë dosjen.
Më herët nga dosja hetimore kanë rrjedhur foto të shkëputura nga videot e Agasit, ku ai shfaqet teksa takohet me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, të cilët SPAK i dyshon të lidhur me grupin kriminal. Por pa dyshim përfshirja e një prokurori të SPAK është diçka që e çon dosjen në një tjetër nivel implikimi të shtetarëve të lartë dhe segmenteve të drejtësisë në një nga dosjet më të forta të 30 viteve të fundit.
Burimet konfirmojnë se në video ka edhe personazhe të tjerë të njohur, përfshirë edhe anëtarin e prokurorisë antikorrupsion, çka në fakt e kompromenton edhe më shumë situatën, por ngre edhe pikëpyetje mbi SPAK-un.
Afera e AKSHI-t është ndër rastet që tregon qartas kapjen e shtetit, sesi një grup kriminal vendoste për tenderat me vlera miliona euro të institucionit, që kalonin në kompanitë e Ermal Beqirit, po ashtu në arrati. Ndërsa urdhërohej rrëmbimi apo kërcënimi i rivalëve që të tërhiqeshin nga tenderat. Në këtë dosje deri tani ka të përfshira figura të rëndësishme të qeverisjes, krimit të organizuar tashmë dhe drejtësisë. Çka e bën atë një patate të nxehtë në duart e prokurorëve Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, që tashmë kanë në dorë të bindin publikun se kur bëhet fjalë për të vendosur drejtësinë, gjithçka duhet të nisë nga themeli, organi që heton këtë çështje.



