Kryeministri Edi Rama ka folur sot për ecurinë e projektit “Diella”, platforma e re që synon transformimin total të sistemit të prokurimeve publike në Shqipëri përmes inteligjencës artificiale.
Rama bëri të ditur se projekti ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, pasi Banka Botërore ka miratuar pa asnjë kundërshtim specifikimet teknike të sistemit, duke i hapur rrugë ndërtimit të platformës së re digjitale.
Sipas kreut të qeverisë, gjatë kësaj periudhe janë hartuar rreth 450 faqe me specifikime teknike të detajuara, për të cilat kanë punuar ekspertë vendas dhe të huaj.
“Mund të jetë krijuar një opinion sikur Diella po fle. Por tani jemi në një fazë të re të procesit, pasi gjatë kësaj periudhe janë hartuar 450 faqe me specifikime teknike të detajuara. Banka Botërore ka dhënë pak ditë më parë dritën jeshile, pa kundërshtime”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se Shqipëria synon të ndërtojë një sistem inovativ të prokurimit elektronik, ku inteligjenca artificiale do të përfshihet në pothuajse të gjitha hallkat e procesit, nga studimi i tregut deri te dorëzimi i ofertave dhe monitorimi i kontratave.
Sipas Ramës, projekti shqiptar konsiderohet unik, pasi synon që të gjithë elementët e prokurimit publik të funksionojnë në një zinxhir të vetëm digjital dhe të gjurmueshëm.
Kryeministri deklaroi se sistemi “Diella” do të eliminojë praktikat manuale të përgatitjes së dokumenteve dhe vlerësimit të ofertave, duke reduktuar ndërhyrjet njerëzore dhe rritur transparencën.
“Asnjë biznes nuk do të detyrohet të mbledhë letra dhe asnjë nëpunës nuk do të ketë në dorë të luajë me dokumentet e biznesit”, u shpreh Rama.
Sipas tij, të gjitha të dhënat do të mblidhen automatikisht nga më shumë se 40 regjistra publikë dhe bizneset do të mund t’i aktivizojnë dokumentet vetëm me një klik.
Ai shtoi se çdo veprim në procesin e prokurimit do të jetë transparent, i gjurmueshëm dhe i aksesueshëm për verifikim, ndërsa algoritmet e inteligjencës artificiale do të kryejnë analizat dhe përpunimin e dokumentacionit në mënyrë të shpejtë dhe të saktë.
Rama bëri të ditur gjithashtu se sistemi do të mbështetet në standardet dhe platformat e Bashkimi Evropian, ndërsa çdo njoftim do të publikohet edhe në portalet europiane të prokurimeve.
Në kuadër të këtij transformimi teknologjik, kryeministri njoftoi edhe krijimin e kompanisë shtetërore Albanian Digital Solutions, e cila do të funksionojë paralelisht me AKSHI.
Sipas Ramës, kompania e re do të synojë të rekrutojë specialistët më të mirë të teknologjisë në treg, duke ofruar paga konkurruese dhe duke u kthyer në një forcë udhëheqëse në zhvillimin digjital të administratës publike shqiptare.
Kryeministri theksoi se “Diella” përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe modernizimit të mënyrës së të bërit biznes në vend.



