back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 11 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaDëshmia në GJKKO/ Xhani: Kishte 200-300 pronarë për tokën e Partizanit

Dëshmia në GJKKO/ Xhani: Kishte 200-300 pronarë për tokën e Partizanit

Në seancën e radhës në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen “Partizani”, ka dëshmuar ish-presidenti i klubit Albert Xhani, i cili dha detaje mbi historikun e pronave sportive, marrëdhënien me institucionet shtetërore dhe kontaktet që ka pasur me drejtues politikë të kohës.

Në këtë proces janë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë.

I pyetur nga prokurorët e SPAK për marrëdhënien mes klubit dhe shoqërisë “Partizani”, Xhani deklaroi se në vitet 2000-2001 u realizua transformimi i shoqatës sportive në shoqëri aksionere, sipas ligjeve shqiptare dhe rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s.

“Në vitin 2000 kemi bërë shndërrimin e shoqatës Partizani në shoqëri aksionere, sipas ligjit dhe sipas rregullave të FIFA dhe UEFA. Unë u zgjodha president”, dëshmoi ai.

Sipas Xhanit, për terrenet sportive nuk ekzistonte dokumentacion pronësie dhe fillimisht ai kishte menduar se toka nuk kishte pronarë.

“Për terrenet nuk kemi pasur asnjë dokumentacion. Unë kam menduar se aty nuk kishte pronar. Më vonë mësuam se aty ishin nja 200-300 pronarë”, tha ai.

Ai tregoi se ish-pronarët nuk kishin marrë kompensimet përkatëse dhe se më vonë ishte informuar se prona mund të përfitohej vetëm nëse destinacioni i saj mbetej publik.
Në dëshminë e tij, Xhani akuzoi ish-kryebashkiakun e Tiranës dhe kryeministrin aktual Edi Rama për ndryshimin e destinacionit të terreneve sportive të Partizanit.
Ai rrëfeu se kishte komunikuar personalisht me Ramën në kohën kur ky drejtonte Bashkinë e Tiranës, pasi kishte pasur probleme për zgjerimin e fushave sportive.

“I thashë këtij të gjatit, kryeministrit në telefon: Ku je? Ishte kryetar bashkie. E lamë të takohemi. Kur e takova i thashë: E kam shtyrë murin”, deklaroi Xhani.

Sipas tij, Rama i kishte premtuar se destinacioni sportiv i terreneve nuk do të ndryshonte dhe se leja për fushat sportive ishte dhënë brenda pak ditësh.

“Ai më tha: Nuk ndryshon destinacioni i tyre. Ato ashtu do rrinë”, tha ish-presidenti i Partizanit.

Megjithatë, Xhani deklaroi se më vonë ishte njoftuar nga ish-futbollisti Bejkush Birçe se destinacioni i pronës ishte ndryshuar.

“Më tha është hapur një varr. Ishte ndryshuar destinacioni. E mora zotin kryeministër, por nuk mu përgjigj. Nga ai moment nuk kemi folur më”, u shpreh ai.

Në vijim të dëshmisë, Xhani akuzoi drejtpërdrejt Ramën si përgjegjës për humbjen e terreneve sportive të klubit.

“Shkaktari që u bë që ne të mbetemi pa terrene sportive është kryetari i atëhershëm i bashkisë, Edi Rama”, deklaroi ai në sallën e gjyqit.

Duke folur për marrëdhënien me Ministria e Mbrojtjes, Xhani tha se institucioni kishte mbajtur një përqindje simbolike aksionesh vetëm për të ruajtur stemën dhe emrin e klubit.

“Ministria donte të mbante stemën dhe emrin, ndaj ishte me 1 për qind aksionere. Na ofruan edhe 80 milionë lekë çdo vit. Unë nuk i pranova dhe nuk kam marrë nga ministria asnjë lek”, dëshmoi ai.

Ai shtoi se gjatë drejtimit të klubit janë bërë investime të konsiderueshme në terrenet sportive dhe ambientet e Partizanit.

“Fushat kanë vajtur 200-300 mijë. Kur jemi larguar nuk kam marrë asnjë send me vete”, tha Xhani.

Në fund të dëshmisë, ai foli edhe për vështirësitë financiare që klubi hasi pas vitit 2010.

“Nga 2010 nuk ishim mirë nga financat dhe erdhën këta Parot-Barot-Laroy”, deklaroi ish-presidenti i klubit Partizani.

Procesi gjyqësor për dosjen “Partizani” vijon në GJKKO, ndërsa SPAK po paraqet dëshmi dhe prova lidhur me procedurat e privatizimit dhe zhvillimit të ish-kompleksit sportiv.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat