Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me shumicë të cilësuar projektrezolutën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimi Evropian, në një prej rasteve të rralla kur mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat.
Rezoluta u miratua me 114 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë votë kundër. Deputeti i vetëm që abstenoi ishte Bujar Leskaj nga Partia Demokratike.
Dokumenti parashikon bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe angazhim të përbashkët politik për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Dakordësia mes palëve erdhi pas negociatave të zhvilluara gjatë 48 orëve të fundit mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Burime parlamentare bëjnë me dije se dy protagonistët kryesorë të marrëveshjes kanë qenë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Sipas burimeve, mes tyre është zhvilluar një telefonatë, ku Balla ka shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar propozimet e opozitës. Më pas është ngritur një grup pune në Komisionin e Punëve të Jashtme me përfaqësues nga të dyja palët.
Nga opozita morën pjesë Ilda Zhulali dhe Edmond Haxhinasto, ndërsa nga mazhoranca Erion Malaj dhe Romina Kuko.
Mësohet se propozimet e opozitës janë reflektuar pjesërisht në draftin final, i cili më pas mori edhe mbështetjen e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Sali Berisha.
Rezoluta vjen në një moment debatesh politike mbi procesin e integrimit, ndërsa BE ka theksuar vazhdimisht se avancimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit kërkon konsensus politik dhe përfshirje të opozitës në reformat kyçe.



