Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur se do të nisë zbatimi i ligjit për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore, si dhe detyrimeve të pagueshme në doganë.
Sipas njoftimit zyrtar, duke nisur nga data 10 qershor 2026, tatimpaguesit do të mund të kryejnë pagesat për të përfituar nga lehtësitë e parashikuara në ligj.
Gjithashtu, brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit, do të hartohet lista e plotë e subjekteve që përfitojnë nga fshirja e detyrimeve tatimore, si dhe e atyre që nuk përfitojnë.
Sipas skemës së re të publikuar:
- Fshihen detyrimet deri më 31.12.2014
- Falet 50% e principalit për detyrimet e viteve 2015–2019, nëse pagesa kryhet deri më 30.06.2026
- Falet 25% e principalit për të njëjtën periudhë nëse paguhet 75% e detyrimit deri më 31.12.2026
- Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet 2020–2024, nëse paguhet 100% e principalit deri më 31.12.2026
Autoritetet tatimore bëjnë me dije se skema synon lehtësimin e borxheve të akumuluara dhe nxitjen e formalizimit të bizneseve, ndërsa zbatimi i saj do të monitorohet sipas afateve të përcaktuara në udhëzim.



