Denion Meidani pritet të largohet nga posti i ambasadorit të Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke mbyllur para kohe mandatin e tij diplomatik në Shkup.
Burime nga Shkupi dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëjnë me dije se lëvizja e Meidanit është drejt finalizimit, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga institucionet përkatëse.
Sipas burimeve jozyrtare, pas kësaj lëvizjeje qëndrojnë pakënaqësitë dhe ankesat e koalicionit shqiptar “Vlen” dhe partisë maqedonase VMRO-DPMNE ndaj qëndrimeve të diplomatit shqiptar në debatet politike në Maqedoninë e Veriut.
Mësohet se reagimet lidhen kryesisht me komentet dhe pozicionimet e tij për çështje që kanë prekur komunitetin shqiptar në RMV, përfshirë debatet e fundit mbi përdorimin dhe statusin e gjuhës shqipe.
Ndërkohë, në qarqet diplomatike po qarkullon edhe mundësia që Denion Meidani të emërohet ambasador i Shqipërisë në Kosovë, ndërsa emri i Petrit Malajt përflitet si kandidat për të marrë postin e ambasadorit në Shkup.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë vendim zyrtar apo dekretim për këto lëvizje diplomatike.
Lëvizja e mundshme e Meidanit vjen në një moment të ndjeshëm politik në Maqedoninë e Veriut, ku raportet mes partive shqiptare dhe qeverisë së re kanë qenë të tensionuara, sidomos për temat që lidhen me të drejtat e shqiptarëve dhe përfaqësimin institucional.



