back to top
26.5 C
Tirana
E enjte, 21 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetKronikëBabai i Ervis Martinajt rrëfen në gjykatë/ "Kam miliona euro të ardhura...

Babai i Ervis Martinajt rrëfen në gjykatë/ “Kam miliona euro të ardhura të dokumentuara”

Babai i të shumëkërkuarit dhe të zhdukurit prej katër vitesh, Ervis Martinaj, është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po zhvillohet procesi mbi pasuritë e të birit.

Mustafa Martinaj u paraqit i vetëm në gjykatë, ndërsa gjatë dëshmisë së tij bëri deklarata të forta, duke pretenduar se djali i tij është vrarë dhe se institucionet nuk kanë marrë në konsideratë informacionet që ai ka dhënë.

“Familja ime përbëhet nga unë, bashkëshortja, dy vajzat dhe i ndjeri djali që s’është më. Më vjen turp që vij për lecka e për tulla dhe nuk jam thirrur njëherë nga ana juaj”, u shpreh ai gjatë seancës, përpara se të ndërhyhej nga gjykata për t’u rikthyer te objekti i shqyrtimit.

Në dëshminë e tij, Mustafa Martinaj foli edhe për aktivitetin ekonomik ndër vite, duke deklaruar se ka punuar si administrator në shërbime financiare dhe bankare, ndërsa pretendoi se ka realizuar miliona euro të ardhura nga bizneset dhe kreditë bankare.

Ai tregoi se fillimisht është marrë me aktivitet privat pas viteve ’97, duke përmendur kambizmin, administrimin e pikave të UBT-së dhe më pas punën në sektorin bankar. Sipas tij, një pjesë e madhe e aktivitetit financiar nuk është pasqyruar për shkak të mungesës së dokumentacionit të institucioneve të kohës.

Në seancën e mëparshme të 12 majit, Mustafa Martinaj deklaroi se ka dorëzuar prova dhe informacione lidhur me vendndodhjen e mundshme të trupit të pajetë të të birit, por sipas tij, këto indicie nuk janë marrë parasysh nga autoritetet.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit 2022. Ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili pretendoi se Martinaj i kishte ofruar një “çek të bardhë” për eliminimin e Indrit Dokle.

Emri i tij është përmendur gjithashtu edhe në dosjen “Metamorfoza”, ndërsa babai i tij ka kërkuar zyrtarisht në Gjykatën e Lezhës shpalljen e Ervis Martinajt si person të zhdukur. Sipas ligjit shqiptar, një person mund të shpallet i zhdukur me vendim gjykate nëse mungon prej më shumë se dy vitesh dhe nuk ka asnjë informacion mbi fatin e tij.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat