Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka bërë publike një letër që thotë se ia ka dërguar Zëvendës Sekretarit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, ku ngre shqetësime për një takim të zhvilluar së fundmi në Uashington me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Në letrën e saj, Kokalari pretendon se aktiviteti në fjalë mund të përdoret politikisht në Shqipëri si një sinjal mbështetjeje amerikane për Sali Berishën dhe aleatin e tij politik, Fatmir Mediun, në prag të proceseve të brendshme në Partinë Demokratike.
Ajo argumenton se Mediu ka qenë për vite me radhë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës dhe ngre akuza politike ndaj tij lidhur me çështjen e Gërdecit dhe kontratat e municioneve që kanë qenë objekt hetimesh dhe procesesh gjyqësore ndër vite.
Në dokumentin e publikuar në rrjetet sociale, Kokalari shprehet se i ka kërkuar Departamentit të Shtetit të tregojë kujdes që takime të tilla të mos interpretohen si mbështetje për figura politike të caktuara në Shqipëri.
“Dëmi që kjo i shkakton përpjekjeve tona për të luftuar korrupsionin në Shqipëri është i konsiderueshëm”, shkruan ajo në letër, duke shtuar se aktiviteti mund të përdoret nga Berisha dhe Mediu si provë e mbështetjes politike amerikane.
Kokalari i kërkon gjithashtu Departamentit të Shtetit që të marrë në konsideratë, sipas saj, të gjithë kontekstin politik dhe akuzat që kanë shoqëruar figurat e përmendura, përpara se të zhvillohen takime apo aktivitete të ngjashme.
Reagimi vjen në një moment kur debatet brenda opozitës shqiptare mbeten të forta, ndërsa vetë Kokalari ka qenë një nga zërat më kritikë ndaj drejtimit aktual të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës.



