Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ashpër pas sulmeve të fundit ruse në Ukrainë, duke bërë të ditur se një prej goditjeve ka prekur kompleksin rezidencial ku banon ambasadori i Shqipërisë në Kiev, Ernal Filo.
Sipas ministrisë, sulmi ka vënë në rrezik serioz jetën e diplomatit shqiptar, ndërsa autoritetet shqiptare e kanë cilësuar ngjarjen si të papranueshme.
Në një deklaratë zyrtare, Shqipëria dënoi sulmin e fundit me raketa balistike dhe dronë ndaj objektivave civile në Ukrainë, duke e konsideruar atë një tjetër përshkallëzim të agresionit rus.
“Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.
Autoritetet shqiptare theksojnë se goditja e zonave civile dhe rrezikimi i personelit diplomatik përbëjnë një shkelje të rëndë të normave ndërkombëtare dhe një dëshmi të kostos njerëzore të luftës që vazhdon në Ukrainë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqipëria i bën thirrje Rusisë të ndalojë menjëherë sulmet, t’i japë fund luftës dhe t’i rikthehet rrugës së negociatave, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme njoftoi se ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri,, është thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me incidentin.
Shqipëria ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Ukrainën, duke theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit ukrainas dhe të mbështesë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të.



