Kryeministri Edi Rama, nga Lezha ku mori pjesë në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, deklaroi se kjo forcë politike në qeverisje ka kontribuar në ngritjen e imazhit të Shqipërisë dhe në përmirësimin e pozicionit të saj ndërkombëtar.
Ai u shpreh se Shqipëria, sipas tij, ka kaluar nga një vend i perceptuar negativisht në një shtet më të respektuar dhe më afër realizimit të objektivave europiane.
“Ne kemi plot të meta, kemi bërë plot gabime. Por kur vjen puna te pamja e madhe, PS në qeveri i ka ngritur kokën çdo shqiptari. Shqipëria nga delja e zezë është kthyer në një vend që respektohet”, u shpreh Rama.
- Ndërkohë, në të njëjtën ditë, në zonën e Zvërnecit po mbahen protesta nga banorë të zonës lidhur me çështje pronësie. Në rrjetet sociale dhe në disa raportime mediatike janë publikuar pamje nga protesta, ku shfaqen tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit./ E Vërteta.al
Sipas këtyre pamjeve në disa momente ka pasur ndërhyrje të policisë ndaj demonstruesve, ndërsa situata është shoqëruar me tensione në terren.
Deklaratat e kryeministrit dhe zhvillimet në terren krijojnë një kontrast të fortë mes narrativës së qeverisë për progresin e vendit dhe pakënaqësive që shfaqen në disa zona për çështje të mbetura të pazgjidhura sociale dhe pronësore.



